Hetime në Bashkinë e Vlorës/ Sekuestrohen dosje në zyrën e aseteve, në fokus kontratat e plazheve

Dy oficerë të policisë gjyqësore kanë qëndruar për rreth 10 orë në ambientet e Bashkisë së Vlorës, nga ora 13:00 deri në 23:00, në kuadër të një hetimi të nisur nga prokuroria për ndarjen e plazheve për vitet 2023–2025.
Gazetari Elton Nika tha se oficerët kanë qenë në zyrën e aseteve, ku kanë sekuestruar dosje që lidhen me kontratat e plazheve. Fillimisht janë marrë dokumentacionet përkatëse, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.
Hetimi dyshohet se ka nisur pas një denoncimi të mbërritur në organet e drejtësisë. Oficerët pritet të rikthehen edhe gjatë ditës së sotme në zyrën e aseteve për vijimin e veprimeve hetimore.
Prokuroria ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar lidhur me çështjen.