Hetimet për rrëzimin e aeroplanit në Indi, gjendet një nga dy “kutitë e zeza”

Ekipet e shpëtimit, të mbështetura nga qen të trajnuar, po vijojnë kërkimet në vendin ku u rrëzua avioni Boeing 787 i Air India në një zonë të banuar të qytetit Ahmedabad, të enjten. Nga 242 persona që ndodheshin në bord, vetëm një ka mbijetuar, ndërsa më shumë se 20 banorë në ndërtesat që u goditën humbën jetën, duke e çuar numrin total të viktimave në të paktën 265.
Sipas gazetës Hindustan Times, një nga dy “kutitë e zeza” të avionit është gjetur tashmë. Autoriteti i Aviacionit Civil të Indisë ka nisur një hetim zyrtar, në përputhje me protokollet ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Britania, SHBA-ja dhe përfaqësues të kompanisë Boeing.
NDTV raportoi të premten se qeveria indiane po shqyrton pezullimin e flotës së avionëve Boeing 787 të Air India, pas aksidentit që mori jetën e mbi 260 personave, sipas burimeve të Reuters.
Sipas oficerit të lartë të policisë, Kannan Desai, deri tani janë identifikuar 265 trupa, duke sugjeruar se të paktën 24 viktima ishin në tokë. Avioni u rrëzua mbi një konvikt studentësh, ku ndodheshin studentë mjekësie, mjekë dhe familjet e tyre. Rrotat e përparme dhe hunda e avionit goditën mensën në momentin kur studentët po konsumonin drekën.
Kronologjia e aksidentit:
Avioni Boeing 787-8 Dreamliner u nis në orën 13:39 (lokale) me destinacion Aeroportin Gatwick në Britani. Pak çaste pas ngritjes, lëshoi një sinjal emergjence dhe më pas u rrëzua jashtë perimetrit të aeroportit. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë avionin duke humbur shpejt lartësinë dhe më pas duke u përplasur në ndërtesa përpara se të shpërthente në flakë.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka sjellë reagime ndërkombëtare.
Kryeministri indian Narendra Modi u shpreh: “Tragjedia në Ahmedabad na ka lënë të tronditur. Është një dhimbje e madhe.”
Presidenti amerikan Donald Trump shprehu ngushëllimet e tij dhe ofroi ndihmën e SHBA-së për hetimet, duke theksuar se “ende nuk ka një ide të qartë për shkakun e aksidentit.”
Kryeministri britanik Keir Starmer dhe Mbreti Charles III gjithashtu shprehën tronditjen dhe solidaritetin e tyre me viktimat dhe familjet e tyre.
/vizionplus.tv