Hetimet për spiunazh ndaj pilotit kroat të KFOR-it, reagon presidenti Milanoviq

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka reaguar lidhur me hetimet ndaj një oficeri të Forcave të Armatosura Kroate, J.I. (54), i dyshuar për spiunazh në dëm të Republikës së Kroacisë.
Sipas mediave kroate, piloti i KFOR-it dhe e dashura e tij, A.M. (46), shtetase serbe nga Kosova, janë marrë në pyetje për dyshime se kanë ndarë informacione sensitive mbi lëvizjet e KFOR-it me Listën Serbe.
Milanoviq shprehu mbështetjen e plotë për institucionet kroate, veçanërisht për Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake (VSOA), duke theksuar se aktivitetet e tyre kanë identifikuar mundësinë e kryerjes së veprave penale dhe kanë ndërmarrë masa për të parandaluar veprime të mëtejshme.
“Çdo anëtar i Forcave të Armatosura Kroate duhet të kryejë detyrën ushtarake me nder, ndershmëri dhe në përputhje me ligjin, dhe nëse konstatohet ndonjë shkelje e ligjit dhe betimit, ajo duhet të ndëshkohet në mënyrë të përshtatshme,” ka deklaruar Milanoviq.
Prokuroria e Qarkut në Split ka konfirmuar hapjen e hetimit për spiunazh sipas nenit 348, paragrafi 1 i Kodit Penal. J.I. dhe A.M. janë vendosur në paraburgim për të mos penguar procesin hetimor. Presidenti Milanoviq u shpreh se pret një hetim efikas për të zbardhur të gjitha faktet e kësaj çështjeje.
/rtsh.al/