Nis konsultimi publik për Strategjinë Kombëtare të AI-së, Karçanaj: Hap i madh përpara drejt një ekonomie digjitale në shërbim të qytetarëve

Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm drejt transformimit digjital duke nisur sot konsultimin publik, online, për Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale. Ky dokument ambicioz, i hartuar me mbështetjen e Bankës Botërore dhe partnerëve ndërkombëtarë, synon të integrojë Inteligjencën Artificiale (AI) në sektorët kyç të vendit.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj, theksoi se strategjia është ndërtuar mbi parime themelore si etika, transparenca, siguria e të dhënave, gjithëpërfshirja dhe përafrimi me kornizën evropiane.
Sipas Karçanaj, zbatimi i kësaj strategjie do të sjellë ndryshime të rëndësishme në disa fusha kryesore:
Shërbime Publike
Shërbime më të shpejta, më të thjeshta dhe më transparente për qytetarët, duke rritur cilësinë e ndërveprimit me institucionet.
Zhvillimi Ekonomik
Rritje të investimeve, hapje të vendeve të reja të punës dhe rritje të konkurrencës.
Inovacioni
Nxitje e inovacionit në arsim, shkencë dhe industri, me fokus te fuqizimi i kapaciteteve njerëzore dhe kërkimi shkencor.
Integrimi në BE
Përshtatje e plotë me standardet e Bashkimit Evropian përmes transpozimit të “EU AI Act”, duke e bërë Shqipërinë një partner të besueshëm për integrimin digjital me tregun evropian.
Karçanaj e përmbylli deklaratën e saj, të publikuar në rrjetet sociale, duke theksuar se kjo strategji është “një hap i madh përpara drejt një ekonomie digjitale të qëndrueshme, të besueshme dhe në shërbim të qytetarëve”.
Një vizion për një shoqëri të drejtuar nga IA
Vizioni i qeverisë është që deri në vitin 2030, Shqipëria të jetë një shoqëri e fuqizuar digjitalisht, ku IA do të luajë një rol kyç në sektorë si shëndetësia, arsimi, bujqësia, transporti dhe turizmi. Ky proces shihet gjithashtu si një mjet strategjik për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian, duke qenë se strategjia është hartuar në harmoni të plotë me Aktin për Inteligjencën Artificiale të BE-së (EU AI Act), shkruan rtsh.al.
Kryeministri Edi Rama ka shkuar edhe më tej me këtë vizion, duke sugjeruar se IA mund të shërbejë si një mjet për të zhdukur korrupsionin dhe madje për të krijuar një ministri të drejtuar tërësisht nga inteligjenca artificiale, një veprim që do ta bënte Shqipërinë vendin e parë në botë që do të ndërmerrte një hap të tillë.
Adresimi i sfidave dhe objektivat kryesore
Pavarësisht entuziazmit, dokumenti strategjik pranon sfidat kryesore që duhen adresuar, përfshirë mungesën e një kuadri të plotë rregullator, kapacitetet e kufizuara teknike dhe rreziqet etike. Për të kapërcyer këto pengesa, strategjia parashikon një plan veprimi të detajuar, me faza afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.
Zbatimi i strategjisë do të drejtohet nga AKSHI në bashkëpunim me ministri dhe institucione të tjera kyçe, si dhe me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Ky hap shënon një përkushtim serioz të qeverisë shqiptare për të shfrytëzuar potencialin e teknologjisë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe transparente.
/rtsh.al/