E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet për tragjedinë ajrore, ekspertë nga SHBA e Britania për të zbuluar shkakun e rrëzimit të avionit

Ekipet e shpëtimit, të mbështetura nga qen të trajnuar, po vijojnë kërkimet në vendin ku u rrëzua avioni  i Air India në një zonë të banuar të qytetit Ahmedabad, të enjten.

Nga 242 persona që ndodheshin në bord, vetëm një ka mbijetuar, ndërsa më shumë se 26 banorë në ndërtesat që u goditën humbën jetën, duke e çuar numrin total të viktimave në të paktën 265.

Sipas gazetës Hindustan Times, një nga dy “kutitë e zeza” të avionit është gjetur tashmë.

Autoriteti i Aviacionit Civil ka nisur një hetim zyrtar, në përputhje me protokollet ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Britania, SHBA-ja dhe përfaqësues të kompanisë.

Sipas informacioneve avioni u rrëzua mbi një konvikt ku ndodheshin studentë të mjekësie, mjekë dhe familjet e tyre.

Avioni goditi mensën në momentin kur studentët po konsumonin drekën. Deri më tani janë identifikuar 265 trupa,  24 prej të cilëve ishin në tokë. Një pjesë e trupave  ishin djegur deri në atë shkallë sa nuk njiheshin më, ndërsa autoritetet po kryejnë teste të ADN-së për identifikimin  e plotë të tyre.

Aeroplani u nis në orën 13:39  me orën lokale me destinacion në Britani.

Pak çaste pas ngritjes, lëshoi një sinjal emergjence dhe më pas u rrëzua jashtë perimetrit të aeroportit.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë avionin duke humbur shpejt lartësinë dhe më pas duke u përplasur në ndërtesa përpara se të shpërthente në flakë./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›