Hetimi për tenderat, drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK

Drejtoresha e AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit), Mirlinda Karçanaj është paraqitur këtë të mërkurë (25 mars) në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Më 5 shkurt, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masat për dy zyrtaret e AKSHi-t, 3 biznesmenët dhe zv.drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, pas hetimeve për abuzime me tenderët.
Masa “arrest shtëpie” u la në fuqi për ish-drejtoreshën e agjencisë, Mirlinda Karçanaj bashkë me zëvendësen e saj Hava Delibashi.
Për zv.drejtorin e Policisë së Tiranës mbeti në fuqi masa e pezullimit nga detyra dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit, si edhe për 3 biznesmenët Gëzim Hoxha, Andis Papa dhe Rogers Rryta, të cilët akuzohen se “kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione ndaj kompanive që s’ishin pjesë e procesit të tenderimit”.
Të tre akuzohen për pastrim të parave dhe grup i strukturuar kriminal. Për këtë çështje janë ende në kërkim dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj.
/rtsh.al/