High Scardus Trail, mbi 220 mijë euro të ardhura në ekonominë lokale gjatë një sezoni turistik

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ High Scardus Trail, një nga shtigjet malore më të gjatë dhe më të rëndësishëm në Ballkan, po kthehet në një motor të qëndrueshëm ekonomik për zonat rurale shqiptare.
Shtegu 362-kilometërsh, i cili lidh malet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, përfshin rreth 45 kilometra në territorin shqiptar, kryesisht përgjatë lartësive lindore të vendit.
Sipas një studimi të projektit gjerman për zhvillimin e qëndrueshëm rural, segmenti shqiptar i High Scardus Trail gjeneron mbi 220 mijë euro të ardhura gjatë një sezoni të vetëm 4-mujor. Përfituesit kryesorë të këtyre të ardhurave janë bujtinat familjare, stanet malore, dyqanet e vogla dhe operatorët turistikë, të cilët po shohin rritje të ndjeshme të kërkesës nga turistët vendas dhe të huaj.
Banorët e zonave malore raportojnë se rritja e numrit të vizitorëve ka sjellë mundësi të reja punësimi dhe të ardhurash. Përveç aspektit ekonomik, shtegu po nxit edhe nisma të reja turistike, promovimin e kulinarisë tradicionale dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të krahinave malore.
Projektet për mirëmbajtjen dhe promovimin e mëtejshëm të shtegut synojnë ta shndërrojnë High Scardus Trail në një atraksion të përhershëm ndërkombëtar për alpinistët dhe ecësit, duke e kthyer rajonin në një destinacion të qëndrueshëm turistik dhe natyror.
High Scardus Trail po dëshmon jo vetëm një aventurë e veçantë malore, por edhe si një histori suksesi për zhvillimin rural në Shqipëri dhe në të gjithë trekëndëshin malor të Ballkanit.
Ky shteg nis nga Novoseja apo Shishtaveci drejt fshatit Grykë-Çajë dhe kalon përgjatë kufirit të tre shteteve: Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut.
Përgjatë shtegut mund të ngjitesh në Malin e Kallabakut 2174 m mbi nivelin e detit dhe mund të shohësh Malet e Sharrit që shtrihen që nga Kosova deri në Maqedoninë e Veriut.
Pjesa më e bukur e shtegut është pjesa nga Maja e Kallabakut deri në fshatin Grykë-Çajë, një prej destinacioneve të preferuara turistike në Kukës.
1 nga 6/e.xh/j.p/r.e/