E Martë, 3 Nëntor 2026

Himarë, zhduket recepsionisti, pista e policisë për vrasësin e dyshuar

Policia e Himarës bëri të nditur se të enjten ka marrë njoftim se në Dhërmi, Eraldo Nevruzi 31 vjeç,  banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit.     

Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.  

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi, Eraldo Nevruzi është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi Gerald Shehu, 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli. Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi Gerald Shehu është larguar drejt Greqisë.”, njofton policia.        

Uniformat blu bëjnë të ditur se janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas.   

“Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit Eraldo Nevruzi, si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor.”, mbyll njoftimin policia.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›