E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndryshimet në ligjin “Për gjendjen civile” në ndihmë të bashkatdhetarëve jashtë territorit

Nëpunësit në konsullorë në ambasadat dhe konsullatet shqiptare në botë do të kenë kompetenca të mirëfillta si nëpunësit e gjendjes civile brenda vendit.

Kjo parashikohet në ndryshimet e fundit në ligjin “Për Gjendjen Civile”. Ai synon të përmirësohen shërbimet publike, për t’i bërë më interaktive në marrëdhënie me qytetarët e biznesin.

Në parlament Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se me ndryshimet në ligjin “Për gjendjen civile”, plotësohet paketa e ndryshimeve që lidhet drejtpërsëdrejti me revolucionin dixhital të shërbimeve. Zoti Balla tha se ky ligj është një përmbyllje e disa ndryshimeve që Ministria e Brendshme ka paraqitur në Kuvend që lidhet me regjistrin unik të adresave.

“Mënyra e lëshimit elektronikisht të dokumenteve të gjendjes civile do të jetë nëpërmjet një nënshkrimi elektronik sikurse është edhe në rastin e qarkullimit të dokumenteve me nënshkrimin elektronik dhe madje edhe me vulën elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të gjendjes civile përmes portalit unik e-Albania. Ofrimi i këtij shërbimi më fleksibël konsiderohet edhe për pjesën më të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Ky është një ligj që u vjen në ndihmë bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë territorit”, nënvizoi Balla.

Ministri Balla vuri në dukje “kemi marrë parasysh edhe propozime që kanë ardhur nga opozita sikurse e bëjmë gjithmonë nëse ato vijnë në rrugë zyrtare dhe jo duke pushtuar foltoristët, foltoren”.

“Meqënëse jemi në një ditë historike ju ftoj të distancoheni nga ata të cilët pushtojnë me dhunë foltoren dhe djegin goma apo nga ata që janë shpallur “non grata” nga SHBA”, tha Balla.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›