Hipertensioni, vrasësi i heshtur. ISHP nis depistimin për mbi 10 mijë persona, mbi 300 mijë të kartelizuar

1 në 3 persona ka risk të shtuar për goditje në tru dhe atak në zemër gjatë një presioni të lartë arterial. Rezultati i përllogaritjeve ne vendet evropiane është publikuar nga OBSH e cila konfirmon se komplikacionet dhe vdekjet nga tensioni i lartë dhe i pamatur po shtohen.
“Vetëm 50% e personave që vuajnë e dinë këtë gjë. Pjesa tjetër nuk e dinë se janë të prekur nga hipertensioni“, tha Dorina Toçi, Përgjegjëse e sektorit të sëmundjeve kronike , ISHP.
Në të gjitha qytetet ka nisur matja e rastësishme e tensionit e cila do të shtrihet gjatë gjithë muajit maj.
“Përgjatë gjithë muajit Maj po organizohet matja e tensionit arterial, në qytete të ndryshme, në ambiente të hapura për moshat mbi 18 vjeç dhe synimi është realizimi i një kampioni prej mbi 10 mijë individësh të rastësishëm për të kuptuar se si qëndrojnë këtë vit vlerat e presionit arterial”, tha Dorina Toçi.
Studimi, pjesë e një iniciative evropiane që nga 2017-ta, ka treguar se brenda 4 vitesh, numri i personave me hipertension u rrit me 10%.
“Prevalenca është rritur dhe krahas kësaj është rritu edhe numri i personave që e kanë nën kontroll tensionin arterial. Kështu në vitin 2018 prevalenca ishte 37% ndërsa në vitin 2022 prevalenca u rrit në 47%”, tha Toçi.
Por çfarë duhet të shmangim për të mos pasur tension të lartë?
“Është shumë e rëndësishme të bëhet matje e tensionit. Të ulet konsumi i kripës, i yndyrave, i alkoolit, i duhanit dhe të shtohet aktiviteti fizik dhe konsumimi I perimeve dhe frutave”, tha përgjegjësja e sektorit të sëmundjeve kronike, ISHP.
300 mijë pacientë janë të kartelizuar në vendin tonë më hipertensionin. ISHP rekomandon matje të përditshme të tensionit në kushte shtëpie.
/rtsh.al/