E Diel, 1 Nëntor 2026

Historike/ Japonia zgjedh kryeministren e parë femër

Sanae Takaichi ka hyrë në histori pasi u zgjodh kryeministrja e parë gru në Japoni. Ajo siguroi shumicën e votave votave në të dyja dhomat e parlamentit, në Dhomën e Ulët me 237 vota dhe në Dhomën e Lartë me 125 vota.

Ky është një moment historik për vendin patriarkal ku si politika ashtu edhe vendet e punës dominohen nga burra të moshuar.

Takaichi, përfaqësuese e Partisë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet dhe e njohur si “Zonja e Hekurt” e Japonisë, ka qenë një bashkëpunëtore e ngushtë dhe e mbrojtura politike e ish-kryeministrit Shinzo Abe. Ajo njihet për qëndrimet e saj të forta konservatore dhe për qëndrimin e prerë në çështje të sigurisë kombëtare dhe rolit tradicional të familjes.

Zgjedhja e saj shënon një moment historik për përfaqësimin e grave në politikën japoneze, një fushë ku barazia gjinore ka përparuar ngadalë.

Megjithatë, shumë gra të reja japoneze janë skeptike nëse Takaichi do të çojë përpara të drejtat e tyre. “Nëse shikon bindjet e saj politike, ajo në fakt përjetëson sistemin patriarkal”, tha për BBC një prej tyre.

Takaichi është kryeministrja e katërt që merr drejtimin e Japonisë brenda pesë viteve të fundit, në një kohë kur LDP po përballet me skandale politike dhe besim të ulët nga publiku.

Pas votimit, pritet që të shpallet kabineti i ri. Anëtarët e tij do të marrin pjesë në një ceremoni zyrtare në pallatin perandorak, ku do të zhvillohet edhe mbledhja e parë e kabinetit të ri qeveritar./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›