E Diel, 1 Nëntor 2026

Hita: Dyshohet për një rrjet të organizuar që po dëmton online bizneset e turizmit, mbi 10 mijë llogari nën hetim

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë të ditur se autoritetet po hetojnë një aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online, i cili synon dëmtimin e reputacionit të bizneseve që operojnë në sektorin e turizmit në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, Hita tha se deri më tani janë identifikuar mbi 10 mijë llogari me aktivitet të dyshimtë, të cilat dyshohet se kanë publikuar në mënyrë të organizuar komente dhe vlerësime negative për hotele, restorante dhe subjekte të tjera turistike në platformat ndërkombëtare të vlerësimeve.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, hetimet paraprake kanë evidentuar indicie për një rrjet llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar, duke postuar brenda një periudhe të shkurtër kohore komente me qëllim dëmtimin e imazhit online të bizneseve shqiptare.

“Kemi evidentuar një aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online që konsiston në publikimin masiv të vlerësimeve dhe komenteve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit në Shqipëri. Deri më tani rezultojnë indicie mbi një rrjet llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar në platformat ndërkombëtare të vlerësimeve. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, këto llogari kanë publikuar në masë komente dhe vlerësime negative për dëmtimin e reputacionit online të bizneseve shqiptare. Mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë të cilat janë objekt hetimi”, tha Hita.

Ai shtoi se një pjesë e konsiderueshme e këtyre llogarive dyshohet se janë krijuar rishtazi dhe janë përdorur vetëm për këtë aktivitet, ndërsa për një pjesë tjetër, që rezultojnë llogari të rregullta, hetimet vijojnë.

Sipas Policisë së Shtetit, janë konstatuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar komente negative për biznese të ndryshme në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Korça, Shkodra dhe Elbasani.

“Një pjesë e konsiderueshëm e llogarive dyshohen se janë krijuar rishtas dhe janë përdorur në funksion të kësaj llogarie, por ka edhe llogari të rregullta për të cilat po vijojnë hetimet. Janë evidentuar raste ku nga e njëjta llogari janë publikuar komente negative për biznese të ndryshme në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Shkodër, Elbasan. Sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së aktivitete përbëjnë tregues kyç që po analizohen nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar”, theksoi Hita.

Sipas Kreut të Policisë, një aktivitet i tillë, nëse provohet se është i qëllimshëm, nuk cenon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por prek dhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik.

“Turizmi është një sektor strategjik i ekonomisë kombëtare dhe një aset i rëndësishëm i imazhit ndërkombëtar të vendit tonë. Çdo përpjekje e organizuar për të manipuluar përceptimin publik, për të dëmtuar bizneset shqiptare apo për të cenuar interesin ekonomik të vendit, do të trajtohet me prioritet maksimal nga Policia e Shtetit”, deklaroi Hita.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›