E Diel, 1 Nëntor 2026

Stoku i dosjeve dhe mungesa e gjyqtarëve, Xhafa kritika KLGJ: Gabim zbatimi i hartës së re gjyqësore

Teksa gjykatat në vend po përballen me një numër shumë të lartë dosjesh së papërfunduara dhe me numër jo të mjaftueshëm gjyqtarësh apo edhe mjedisesh, ku mund të realizohen seancat gjyqësore, për kreun e Komisionit parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, “thembra e Akilit” mbetet harta e re gjyqësore që po zbatohet.

“Kam qenë kundër hartës gjyqësore pikërisht për këtë gjë dhe kemi qenë në sallën lartë dhe i kam thënë Këshillit të Lartë Gjyqësor që ju mund ta bëni këtë, por mund ta bëni me fazë tranzitore se s’keni infrastrukturën t’ua mundësojë këtë gjë. Po ju insistonin dhe e doni mendimin tim pse insistoj? Për t’ju bërë vend disa anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor në atë moment për të kaluar në apel. Ka ndikime brenda sistemit lidhur me sistemin e vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve”, tha Xhafa.

Kreu i KLGJ tha gjatë një dëgjese, se fundi i vitit 2028 do të sjellë edhe plotësimin e numrit të magjistratëve.

“Vitin tjetër diplomohen 20 kandidatë për gjyqtarë, pas dy vjetësh dhe 10 dhe do të thotë në vitin 2028 ne i plotësojmë 100% numrin e magjistratëve duke i referuar numrit të përgjithshëm. Kemi parashikuar dhe 10 kuota që përfundojnë pas tre vitesh studimi për atë kategorinë e magjistratëve të cilët dalin në pension. KLGJ i është drejtuar bashkive të Tiranës, Beratit, Durrësit, Fierit, Kukësit dhe Lezhës dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Ministrave për të kërkuar vënë në dispozicion të shesheve ndërtimit për godina të reja gjykatash”, tha kreu i KLGJ.

Por, deputetët e mazhorancës dhe opozitës, u shprehën njëzëri për situatën aktuale në terren.

“Ka vendime gjyqësore të cilët janë mbi një vit të paarsyetuar dhe mund të ketë gjyqtarë që mund të ketë edhe 400-500 vendime të paarsyetuar mbi një vit”, tha Gjin Gjoni.

Këto deklarata u bënë gjatë shqyrtimit dhe miratimit në parim të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025”.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›