E Diel, 1 Nëntor 2026

Hita: Luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar

TIRANË, 31 mars/ATSH/ Drejtues Madhor Skënder Hita, u shpreh sot pas marrjes së detyrës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, se sfidë e punës së tij mbetet thellimi i rezultateve dhe përmirësimi më shumë i imazhit të Policisë së Shtetit.

Në ceremoninë e betimit të zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, ku të pranishëm ishin zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, Hita tha se sot ishte një ditë e rëndësishme e karrierës së tij në Policinë e Shtetit.

“Pas një rrugëtimi 25-vjeçar me uniformën blu, me dëshirën për t’i shërbyer pa kompromis qytetarëve, ligjit dhe vendit, kam nderin të marr përgjegjësinë për këtë detyrë, më të lartën në organizatën tonë”, tha Hita.

Hita nënvizoi se këtë kurorëzim nuk e sheh si arritje personale, por si një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.

“Gjej rastin të falënderoj Kryeministrin dhe Qeverinë për besimin e dhënë dhe çdo koleg me të cilin kemi ndarë këtë rrugëtim sakrificash. I jam mirënjohës çdo efektivi të Policisë që shërben çdo ditë me përkushtim të madh, si dhe familjeve të tyre që mbajnë peshën e sakrificës. Nderim për dëshmorët e Policisë dhe respekt për veteranët që mbeten burim frymëzimi për ne”, vijoi ai.

Hita u shpreh se deri sot është punuar dhe sakrifikuar shumë, por mbetet sfidë thellimi i rezultateve dhe përmirësimi akoma më shumë i imazhit të Policisë, sepse një polici e denjë matet me besimin që fiton çdo ditë nga qytetarët.

“Policia nuk është një institucion vetëm që ofron shërbim. Ajo është vendi ku qytetari gjen mbështetje, drejtësi dhe besim. Prioritetet tona janë të qarta: lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke filluar edhe nga radhët tona; rritja e parametrave të sigurisë në shkolla; forcimi i rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit; si dhe modernizimi i Policisë përmes teknologjisë, përfshirë projektin madhor “Smart City””, tha Hita.

Hita tha se ndër prioritete të tjera mbetet rritja akoma më shumë e transparencës dhe e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve; mbështetje dhe motivim për çdo punonjës policie që kryen detyrën me ndershmëri e përkushtim dhe forcimi më tej i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.

“Policia e Shtetit është e juaja. Ajo do të jetë gjithmonë në krah të ligjit dhe në krahun tuaj, profesionale, e gatshme dhe e përkushtuar. Siguria juaj është detyrimi ynë më i madh. Bashkëpunimi dhe besimi ndërmjet nesh janë thelbësorë për të ndërtuar një shoqëri më të sigurt”, vijoi ai.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të medias, Hita tha se ata janë partnerë të rëndësishëm në informimin e drejtë dhe transparent të publikut.

“Policia e Shtetit do të jetë e hapur dhe e përgjegjshme në komunikim, duke rritur besimin përmes transparencës”, theksoi Hita.

Në fund, Drejtues Madhor Skënder Hita, iu drejtua punonjësve të Policisë së Shtetit, duke u shprehur se do të jetë mbështetësi i tyre në rrugën e drejtë, por edhe kërkues i lartë i standardeve dhe përgjegjësisë, sepse Policia e Shtetit po përgatitet për të qenë pjesë e një vendi evropian.

“Le të punojmë së bashku për një polici që nuk e imponon autoritetin, por e fiton atë çdo ditë përmes shërbimit dhe drejtësisë”, tha Hita.

Prezantimi i Hitës në krye të Policisë së Shtetit, Foto: Florian Abazaj 1 nga 15

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›