E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjedhorja”, prezantohet projektligji për financimin e partive politike

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore u prezantua sot projektligji për financimin e partive politike jashtë fushatave zgjedhore.

Prezantimi i projektligjit u bë nga eksperti Viktor Gumi. Gumi theksoi se projektligji ka të bëjë me financimin e partive politike, deklarimin, kontrollin, monitorimin, mbikëqyrjen dhe sanksionet, vetëm për vitet jozgjedhore.

“Nuk kemi interferencë në lidhje me financimin e fushatave zgjedhore dhe kontrolleve që u bëhet atyre. Ata janë pjesë e veçantë e Kodit Zgjedhore”, tha ai.

Sipas Gumit, objekti është rregullimi i mënyrës, kushteve të financimit, administrimit, transparenca, raportimet dhe kontrolli për të gjithë ardhurat dhe shpenzimet që kryejnë partitë politike gjatë viteve jozgjedhore.

Një nen shumë i rëndësishëm, sipas Gumit në projektligj është neni 7, pasi sipas tij citon “një set ndalimesh të plota, për të cilat u ndalohet, strukturave përkatëse organizative, individëve të veçantë, dhurimi i ndihmave financiare apo materiale”.

Më konkretisht, sipas Gumit “është parashikuar në këtë projektligj, nisur nga baza aktuale dhe nga studimet, një listë e plotë e kategorive për të cilat i ndalohet financimi qoftë financiar qoftë materiale”.

Ai shtoi se “përjashtimisht nga këto ndalime lejohet brenda një kuadri të caktuar dhe një procedurë të caktuar ndihma që partitë politike mund të marrin nga strukturat e tyre si motra ose nga bashkimet ndërkombëtare të bashkimeve politike, gjithmonë brenda fushës së veprimit të partive politike. Është e rëndësishme dhe këtu delegohet kompetencë e KQZ-së, që këto parime duhet të delegohen dhe me aktet nënligjore”.

Sipas Gumit, kjo është një gjë e rëndësishme pasi është një komponent i cili i ka munguar legjislacionit aktual në praktikë.

“Kjo do të thotë për shembull nëse një strukturë e caktuar ka një kontratë të partneritetit publik dhe privat i ndalohet të japi dhurim për partinë politike deri në tre vite pas mbarimit të kontratës së partneritetit publik dhe privat, KQZ do të duhet ta monitorojë dhe të marrë masa nëse një gjë e tillë ndodh.

“KQZ në dispozitat e fundit përkatëse, gjithashtu ka mundësinë që të ketë një harmonizim me strukturat përkatëse, që mund të jetë ministria, Agjencia e Prokurimit Publik dhe njëkohësisht shumë institucione të tjera, për të rregulluar dhe ndërhyrë në databejze elektronike, pikërisht për të pasur këtë mundësi a priori të informacionit, për të respektuar zbatimin korrekt të këtij projektligji”, tha ai.

Gjithashtu, Gumi tha se është vendosur edhe tavani minimal i harmonizuar edhe me Kodin Zgjedhor.

“Çdo dhurim në të holla me vlerën 500 mijë lekë e sipër do të duhet të bëhet vetëm përmes transaksionit bankar, ndërkohë që gjithçka që përfitohet nga kuotat e anëtarësisë, partia politike ka detyrimin t’i kanalizojë nëpërmjet sistemit bankar, brenda 5 ditëve nga mbledhja e këtyre kuotave të anëtarësisë”, tha ai.

Gumi bëri të ditur se “parashikohet që dhurimet sipas këtij projektligji, ndahen në tre kategori; shtetasi shqiptar ka të drejtë të dhurojë jo më shumë se 200 mijë lekë për një vit kalendarik, personi fizik i cili është i regjistruar sipas legjislacionit tatimor, ka të drejtë të dhurojë deri në 500 mijë lekë në një vit kalendarik, ndërkohë që personi juridik ka të drejtë të dhurojë jo më shumë se 1 milion lekë brenda një viti kalendarik”.

Për sa i përket fondit publik që u jepet partive politike, Gumi tha se “ne kemi mbajtur të njëjtin standard dhe të njëjtin formatim”.

Ai nënvizoi se ligji do të hyjë në fuqi tre muaj pas botimit në fletoren zyrtare.

“Në vlerësimin tonë garantojmë që standardet ndërkombëtare low soft të vendosura nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR janë të respektuara në rastin konkret. Jemi përpjekur të përkthejmë këto standarde, në standarde të zbatueshme të legjislacionit aktual në Shqipëri”, tha ai.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›