Hita me strukturat e Policisë në Korçë, Tiranë dhe Dibër: Intensifikoni punën për goditjen e grupeve kriminale

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita zhvilloi një takim me strukturat e Policisë në Korçë, Tiranë dhe Dibër.
Gjatë takimeve, Hita vuri theksin fillimisht te siguria e nxënësve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. Për përmbushjen e këtij prioriteti absolut, Hita kërkoi që zbatimi i planit të masave për garantimin e perimetrit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor të monitorohet personalisht nga drejtuesit e strukturave të Policisë vendore, të cilët duhet të jenë në dijeni të problematikave dhe dinamikave që lidhen me shkollat në qarkun përkatës.
Në këtë kuadër, Hita kërkoi intensifikimin e kontrolleve brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, për përcaktimin dhe goditjen e elementeve që nxitin nxënësit në veprimtari kriminale.
Gjithashtu, gjatë takimeve Hita kërkoi nga strukturat vendore dhe kufitare të Policisë goditjen e krimeve të rënda, armëmbajtjes pa leje, veprave penale në fushën e narkotikëve dhe grupeve kriminale; forcimin e luftës kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve, nëpërmjet hetimeve proaktive.
Ai kërkoi gjithashtu përmirësimin e performancës së Policisë dhe shërbimin me etikë ndaj qytetarëve, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë dhe rritjen e sigurisë rrugore dhe përdorimin efektiv të teknologjisë, me objektiv parandalimin e aksidenteve.
Më tej, Hita theksoi rëndësinë e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit, si elementi kyç i përmbushjes së detyrave funksionale.
Hita u shpreh se ky besim rritet vetëm duke intensifikuar punën, angazhimin dhe burimet njerëzore, për të adresuar në mënyrë shteruese, informuese dhe zgjidhëse shqetësimet apo pretendimet e qytetarëve që i adresohen Policisë, nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes dhe adresave zyrtare të saj.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita zhvilloi takim me s... 1 nga 4/e.i/r.e/