Hita në Prokurorinë dhe Policinë e Vlorës pas ngjarjeve në Zvërnec, pritet prezantimi i drejtuesit të ri të komanduar të policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar këtë të hënë një vizitë në qytetin e Vlorës, në një moment kur Drejtoria Vendore e Policisë ndodhet në qendër të vëmendjes pas zhvillimeve të lidhura me protestën në zonën e Zvërnecit.
Hita ka mbërritur fillimisht në ambientet e Prokurorisë së Vlorës, ku ka qëndruar për rreth 30 minuta. Ende nuk janë bërë publike detaje zyrtare mbi takimin apo çështjet që janë diskutuar gjatë qëndrimit të tij në institucionin e akuzës.
Pas largimit nga Prokuroria, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është drejtuar drejt Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku pritet të prezantojë drejtuesin e ri të komanduar të këtij institucioni, pas pezullimit nga detyra të drejtorit Elidon Çela.
Pezullimi i Çelës u vendos me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hita, vetëm pak orë pas reagimeve të forta publike që pasuan ngjarjet e ndodhura gjatë protestës së zhvilluar në Zvërnec kundër projektit turistik në zonë.
Vendimi erdhi në një kohë kur Policia e Vlorës kishte publikuar një deklaratë zyrtare lidhur me protestën, ku thuhej se një grup protestuesish kishin kryer veprime të dhunshme.
/rtsh.al/