Homazh per Lukë Kaçaj, përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes këngëtari lirik

Zëri që sfidoi kohën, Lukë Kaçaj, do te përkujtohet në një koncert homazh në Teatrin e Operas dhe Baletit këtë të premte në 100-vjetorin e lindjes së bass-baritonit të madh shqiptar.
Një zë i rrallë, një artist i jashtëzakonshëm, një jetë e shënjuar nga lavdia dhe sakrifica. Në 100-vjetorin e lindjes së tij, Shqipëria kujton Lukë Kaçajn, bas-baritonin që ngriti artin lirik shqiptar në nivele të larta dhe mbeti përgjithmonë në kujtesën e publikut si “Shaljapini shqiptar”.
Me një timbër të fuqishëm dhe një prani skenike të papërsëritshme, Lukë Kaçaj u bë një nga figurat më të ndritura të operës shqiptare. Interpretimet e tij mbeten edhe sot një pikë referimi për brezat e artistëve që e pasuan.
Në kujtim të tij, më 19 qershor, në orën 20:00, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor organizon një mbrëmje të veçantë kushtuar figurës së tij.
Përmes muzikës, kujtimeve dhe homazheve, publiku do të ketë mundësinë të rikthehet te jeta dhe vepra e artistit që sfidoi kohën me talentin e tij.
Një mbrëmje për të nderuar një legjendë. Një mbrëmje për të kujtuar një njeri. Një mbrëmje për zërin që vazhdon të jehojë edhe sot, një shekull më pas.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/