Homazhe në Kuvendin e Kosovës për ish-kryeparlamentarin Nexhat Daci

PRISHTINË, 2 janar/ATSH/ Në Kuvendin e Kosovës u mbajtën sot homazhe në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, i cili u nda të enjten nga jeta.
Homazhet u zhvilluan në praninë e familjarëve, përfaqësuesve institucionalë, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve, të cilët po bëjnë nderimet për të ndjerin, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij në jetën institucionale dhe politike të vendit.
Në akademinë përkujtimore për ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci u nderua jeta, vepra dhe kontributi i tij që ka dhënë për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Nga krerët e shtetit kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës u vlerësua lart, me ç’rast u tha se gjurmë të pashlyeshme, me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike.
Gjatë fjalimit të saj, presidentja Vjosa Osmani tha se duke qenë qenë në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, për akademik Nexhat Dacin, historia flet me një respekt të jashtëzakonshëm.
Kontributin e tij në formimin e institucioneve të Kosovës, Osmani e vlerësoi si të qetë por të thellë.Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se me maturinë e qetësinë e tij karakteristike, Daci dha shembull se si duhet kuvenduar dhe si duhej zhvilluar beteja politike nga foltorja dhe ulëset e Kuvendit.
Ndërsa, kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se falë angazhimit të tij, rezistenca paqësore në vend mori kuptim të thellë dhe u shndërrua në një projekt të qëndrueshëm politik dhe moral për Kosovën.
Në emër të familjes para atyre që kishin ardhur për ta nderuar jetën dhe veprën e tij, foli e bija e akademikut të ndjerë, Majlinda Daci. Ajo shprehu mirënjohje për respektin dhe fjalët e mira që iu kushtuan sot ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci.
Ajo tha se prania e të gjithëve është një dëshmi e dashurisë dhe vlerësimit që ai ka gëzuar gjatë gjithë jetës së tij.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare. /KosovaPress//r.e/