Homazhe pranë memorialit të anijes së mbytur austro-hungareze në Durrës

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako së bashku me ambasadoren austriake Zach, ambasadoren e Hungarisë, Martina Laura Kasnyik si dhe përfaqësues të Kryqit të Zi Austriak morën pjesë në ceremoninë përkujtimore në memorialin e anijes së mbytur austro-hungareze që ndodhet pranë mureve të kalasë.
Të pranishmit zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në këtë memorial të ndërtuar në përkujtim të 2700 viktimave të anijes Loyd LINZ dhe anijeve të tjera të Marinës Austro-Hungareze, të cilët humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore, 1914-1918, pranë brigjeve të Durrësit.
Shkrimet në këtë memorial janë në tri gjuhë: shqip, gjermanisht dhe hungarisht.
Memoriali është kujtesë e historisë ku 100 vjet më parë gjatë Luftës së Parë Botërore, anija “Linz” do të lundronte drejt brigjeve të Durrësit me mbi 1000 persona në bordin e saj. Anija u godit nga një silur dhe u mbyt tre milje larg kepit të Rodonit.
Ndërkaq, gjatë takimit që pati me diplomaten austriake, Sako e njohu edhe me historinë dhe resurset që ofron qyteti i Durrësit sa i përket veçanërisht sektorit ekonomik dhe atij të turizmit.
“Po kështu bashkëbiseduam edhe mbi mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme”, tha Sako.
/e.i/j.p/