Homazhet për gjyqtarin Astrit Kalaja, pezullohen 105 gjyqe penale dhe civile në gjykatën e Tiranës

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra brenda në sallën e gjyqit gjatë ushtrimit të detyrës, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur pezullimin e seancave gjyqësore për datat 7 dhe 8 tetor 2025.
Sipas medieve sot u pezulluan 105 gjyqe penale dhe civile në këtë gjykatë. Ndërkohë që puna do të vijojë për gjykimet me karakter urgjent.
“Për shkak të pjesëmarrjes në homazhet, që do të zhvillohen në nderim të kolegut tonë të paharruar Astrit Kalaja, i vrarë ditën e djeshme, në krye të detyrës, gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (dhomat civile dhe penale) nuk do të jenë në gjendje të zhvillojnë gjykimet e planifikuara për datat 7 dhe 8 Tetor 2025, përveç gjykimeve me karakter urgjent (masa sigurimi, urdhëra të menjëhershëm mbrojtjeje)”, njoftoi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Sipas medieve seancat gjyqësore për datat 7 dhe 8 tetor u pezulluan edhe në gjykata të tjera të vendit.
Një ditë më parë, gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda sallës së gjyqit. Autori i ngjarjes, palë e dëmtuar në proces, u arrestua. Policia vuri në pranga edhe xhaxhain e tij si bashkëpunëtor, si dhe rojën e sigurisë në Gjykatën e Apelit për shpërdorim detyre.

/m.q/j.p/