E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – KE pritet të japë dritën jeshile për anëtarësimin e Bullgarisë në eurozonë

BRUKSEL, 4 qershor /ATSH-DPA/- Bullgaria ka rritur shpresat për t’u bashkuar me eurozonën – ndërsa Komisioni Evropian pritet të japë sot mendimin e tij nëse vendi i ka përmbushur kushtet për t’u bashkuar me monedhën e përbashkët.

Qeveria në Sofje njoftoi në fillim të vitit se po bënte përpjekje për t’u bashkuar me eurozonën deri në janar 2026.

Bullgaria ka qenë anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2007 dhe më parë kishte planifikuar të zëvendësonte monedhën e saj kombëtare, levin, me euron në vitin 2024, por miratimi u shty për shkak të një shkalle relativisht të lartë inflacioni prej 9,5% në atë kohë.

Komisioni tha së fundmi se pret një normë inflacioni prej 3,6% për Bullgarinë në vitin aktual dhe 1,8% në vitin 2026, duke rritur shpresat se Sofja është gati të bashkohet me eurozonën.

Kriteret për t’u bashkuar me euron përfshijnë stabilitetin e çmimeve, financat publike të shëndosha dhe kurset e qëndrueshme të këmbimit, ndër kushte të tjera.

Nëse komisioni arrin në përfundimin se Bullgaria është gati të bëhet vendi i 21-të i BE-së që përdor monedhën e përbashkët, vendet e tjera të BE-së dhe Parlamenti Evropian do të duhet të japin pëlqimin e tyre.

Në Bullgari, futja e mundshme e euros është shoqëruar me protesta të ashpra.

Partia opozitare nacionaliste pro-ruse Vazrazhdane (Ringjallja) bëri thirrje për një referendum për mbajtjen e levit.

Aktivistët mblodhën 604,000 nënshkrime në favor të një referendumi.

Megjithatë, parlamenti bullgar ka refuzuar dy herë referendumin për çështjen e monedhës – në vitin 2023 dhe së fundmi në maj 2025. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›