Hoxha pritet nga Neculăescu: Rumania, mbështetje e çmuar për integrimin evropian të Shqipërisë - ATSH -

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u takua në Bukuresht me ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Rumanisë, Dan Neculăescu.
Në takim u rikonfirmua angazhimi i përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh, me fokus të veçantë në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare dhe shfrytëzimin e plotë të potencialit të tyre.
Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Rumanisë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe për procesin e zgjerimit të BE-së në tërësi.
“Së bashku, mbetemi të angazhuar për të çuar përpara integrimin evropian dhe për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Ministri.
Të dy homologët shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet kryesore të sigurisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
Hoxha nënvizoi rëndësinë e unitetit mes Aleatëve, koordinimit më të ngushtë brenda NATO-s dhe mbështetjes së vazhdueshme e të palëkundur për Ukrainën.
Ministri i Jashtëm rikonfirmoi solidaritetin e Shqipërisë me Rumaninë përballë sfidave në zhvillim të sigurisë në rajonin e Detit të Zi, si dhe vendosmërinë për të punuar ngushtësisht në mbrojtje të sigurisë së përbashkët evropiane dhe euroatlantike.
Gjatë takimit të MEPJ-së, Ferit në Bukuresht, me homologun rumun, Dan Neculăescu
1 nga 6
/a.f/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.