E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj në ‘Tema e Ditës’: Kurti të bëjë marrëveshje politike me opozitën, ndryshe nuk bën dot qeverinë dhe as zgjedh presidentin

Në një intervistë të drejtpërdrejtë për emisionin “Tema e Ditës” në RTSH me gazetarin Arbër Hitaj,  ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj analizoi situatën aktuale politike në Kosovë, duke e cilësuar atë si një nga më të paqartat dhe më të vështirat që prej shpalljes së pavarësisë.

“Kjo është situata më absurde që ka pasur Kosova që prej çlirimit të saj në vitin 1999. Gjatë këtyre 9 muajve z. Kurti si mandatar për të krijuar qeverinë e re ka treguar një paaftësi politike për të formuar qeverinë.”

Sipas tij, ajo që PDK kishte paralajmëruar prej kohësh u konfirmua ditën e djeshme.

“ Kjo është situata më absurde pas shpalljes së Pavarësisë. Gjatë këyre 9 muajve z. Kurti si mandatar për të krijuar qeverinë e re ka treguar një paaftësi politike për të formuar qeverinë.  Ajo që ne kemi pretenduar për një kohë të gjatë u konfirmua ditën e djeshme që z. Kurti nuk kishte votat në Kuvend për të formuar qeverinë dhe si rrjedhojë Kosova është në krizë të thellë politikë.”

Hoxhaj tha se PDK është aktualisht e fokusuar në balotazhin për zgjedhjet vendore, por më pas do të vëzhgojë nëse Presidentja Vjosa Osmani do të mandatojë sërish Albin Kurtin apo do të kërkojë një mandatar të ri nga opozita.

“Situata është shumë e paqartë politike. E paqartë është edhe procesi nëse është konstituuar Kuvendi i Kosovës ose jo, meqenëse deputetët e Listës Serbe kanë dërguar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese.”

Hoxhaj kritikoi mungesën e vullnetit politik nga ana e Kurtit për të bashkëpunuar me opozitën, duke theksuar se, “Nga 9 shkurti ka më shumë se 9 muaj paaftësi për të ndërtuar qeverinë nga Albin Kurti dhe mungesë vullneti për të bashkëpunuar me opozitën.

Ai parashikoi se vendi do të shkojë në zgjedhje brenda vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm .

“Partitë opozitare duhet të bëjnë një bilanc se çfarë ka ndodhur në këto muaj. Ne kemi qenë të bindur që z. Kurti në një gjuhë agresive ka sulmuar opozitën.

Ai shtoi se ndonëse partitë opozitare do të garojnë të ndara për shkak të platformave të ndryshme, pas zgjedhjeve duhet të ndërtojnë qeverinë e re.

Hoxhaj theksoi se qytetarët nuk e kanë votuar Kurtin për të qeverisur i vetëm:

“Qytetarët e Kosovës nuk e kanë votuar më 9 shkurt z. Kurti që të qeverisë i vetëm, por të qeverisë me një tjetër parti të madhe në opozitë.Nëse në politikë nuk ke vullnet për dialog, nuk ke aftësi për të bërë marrëveshje dhe kompromis, je i paaftë për të qeverisur vendin.”

Ai e cilësoi periudhën aktuale si një kohë të mungesës totale të racionalitetit dhe paaftësisë politike.

“Pa marrëveshje politike me opozitën, Kurti nuk mund të bëjë dot 61 mandate as për qeverinë dhe jo më mbi 80 mandate për të zgjedhur Kryetarin e Shtetit.”

Ai përfundoi me një thirrje për reflektim dhe ndryshim të kulturës politike duke u referuar dhe përfundimit të mandidatit të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani.

“Nuk zgjidhet Presidenti i vendit me 80 vota pa një bashkëpunim të mirëfilltë opozitar. Ndaj duhet reflektuar për një qasje të re të kulturës politike. Në këtë situatë që është sot Kosova, vetëm zgjedhjet janë rruga e vetme për zgjidhje dhe pas zgjedhjeve bashkëpunimi mes forcave politike është rruga e vetme politike.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›