Huadhënie me përqindje, Policia e Tiranës sekuestron 500 mijë euro

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “Hidden Funds”, ndërsa ka sekuestruar 500 mijë euro të dyshuara se janë përfituar nga veprimtari kriminale.
Policia njoftoi se procedoi në gjendje të lirë pronaren e subjektit echange pasi nuk deklaronte shumat e parave, të cilat depozitoheshin nga persona të ndryshëm në subjektin e saj me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje.
Si rezultat i një hetimi, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur nga Prokuroria e Tiranës, u finalizua operacioni “Hidden Funds”, në kuadër të cilit u procedua penalisht shtetasja E. K., 72 vjeçe. Në subjektin në pronësi të kësaj shtetaseje, sipas provave të mbledhura, rezulton se depozitoheshin para të padeklaruara nga persona të ndryshëm, me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë penale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. 1 nga 2