Rama: Trajnim për rojet bregdetare, pushime më të sigurta për qytetarët dhe turistët

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një nismë në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik, duke theksuar angazhimin e institucioneve për garantimin e pushimeve të sigurta për qytetarët dhe turistët në vijën bregdetare shqiptare.
“Pushime të sigurta për qytetarët dhe turistët”, shkruan Rama, duke njoftuar se rojet bregdetare kanë marrë pjesë në një trajnim të specializuar “Lifeguard dhe Ndihma e Parë”, të organizuar nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore në bashkëpunim me Universitetin e Sporteve të Tiranës.
Sipas kryeministrit, trajnimi është përqendruar në dhënien e ndihmës së parë dhe ndërhyrjet emergjente në det – një aftësi jetike për ruajtjen e jetës dhe sigurisë së pushuesve gjatë sezonit veror.
Kjo iniciativë është pjesë e masave të ndërmarra nga autoritetet për të rritur standardet e sigurisë dhe shërbimit në plazhet shqiptare, të cilat pritet të jenë një nga destinacionet më të frekuentuara këtë verë.
Në fokus të trajnimit, ku pjesëmarrës ishin studentë të UST, ishte dhënia e ndihmës së parë dhe ndërhyrjet emergjente në det, një aftësi jetike për sigurinë e pushuesve në vijën tonë bregdetar.
Kursi përfshiu parandalimin e aksidenteve dhe mbytjeve në det; mënyrat e hyrjes në det të lifeguard (dhënës i ndihmës së parë) që kërkon të ndihmojë viktimën që po mbytet.
Pjesë e kursit ishin edhe manovrat e shpëtimit së viktimës në det, mënyrat e transportimit dhe nxjerrjes së viktimës nga deti në tokë, manovrat bazë të jetëshpëtimit (BLS) kur viktima është jokoshiente dhe bllokimi i plotë dhe i pjesshëm i rrugëve të frymëmarrjes.
/a.f/