E Premte, 6 Nëntor 2026

Huber: Kërkimi shkencor, bazë për stabilitetin financiar bankar

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, shprehu angazhimin për vijimin e bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve dhe avancimin e kërkimit ekonomik shkencor në fushën bankare.

E pranishme në takimin e 18-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore të organizuar sot në Tiranë nga Banka e Shqipërisë, Huber, vlerësoi pjesëmarrjen e partnerëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë, që do të punojnë së bashku për të shkëmbyer eksperiencat në kërkimin ekonomik dhe ndërtimin e kapaciteteve.

Ambasadorja theksoi se bankat qendrore luajnë një rol kyç mbi stabilitetin dhe zhvillimin e ekonomive në këtë rajon dhe në mbarë botën.

“Mbështetja e Zvicrës në lidhje me kërkimin mbi detyrat dhe sfidat e bankave qendrore pasqyron gjithashtu besimin tonë në aftësinë për vendimmarrje të pavarura dhe të bazuara në të dhëna. Këto janë arsyet e mbështetjes së gjatë të programit tonë të bashkëpunimit zviceran për Bankën e Shqipërisë dhe bankat e tjera qendrore në këtë rajon”, tha ajo.

Huber theksoi se, “ne i inkurajojmë bankat qendrore të mbështeten në punën kërkimore, jo vetëm për të udhëhequr vendimet e politikës monetare, por gjithashtu për të krijuar strategji afatgjata për përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare, nxitjen e përfshirjes ekonomike dhe përgatitjen për sfidat e së ardhmes”.

Sipas saj, Programi i financuar nga SECO, Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, ka kontribuar në përmirësimin dhe sofistikimin e kërkimit në Bankën e Shqipërisë dhe gjetkë.

“Kjo do të thotë se Banka është më e përgatitur për të marrë vendime dhe për të propozuar politika të bazuara në dëshmi dhe njohuri të forta. Ai gjithashtu ofron provat e nevojshme në vlerësimin e zhvillimeve ose inovacioneve”, deklaroi Huber.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›