E Diel, 1 Nëntor 2026

Hudi Shehu: Teknologjia dhe diaspora, çelësi i sipërmarrjes shqiptare në tregjet globale

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Sipërmarrësi Hudi Shehu vlerëson se zhvillimi i teknologjisë ka bërë që kufijtë gjeografikë të kenë gjithnjë e më pak rëndësi për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë dhe biznese në tregjet ndërkombëtare.

Në një intervistë për ATSH-në, Shehu u shpreh se rrugëtimi i tij në sipërmarrje nisi që në moshë të hershme nga Memaliaj, ku ndërtonte faqe interneti dhe eksperimentonte me projekte të marketingut dhe tregtisë elektronike.

Sipas tij, zgjerimi i aktivitetit në Mbretërinë e Bashkuar ishte një vazhdimësi e natyrshme e punës me klientë ndërkombëtarë, ndërsa teknologjia ka bërë që distanca mes Tiranës dhe Londrës të jetë pothuajse e papërfillshme.

“Sipërmarrja për mua nuk ka qenë kurrë një projekt që e ndërtova “midis dy vendeve”, por më shumë një vazhdimësi e natyrshme e mënyrës sesi jam rritur. Që në moshën 12-vjeçare ndërtoja faqe interneti dhe eksperimentoja me e-commerce e marketing nga Memaliaj. Mbretëria e Bashkuar erdhi më vonë si një hap logjik për të rritur shkallën e punës që po bëja tashmë me klientë ndërkombëtarë. Avantazhi i vërtetë nuk është “të jesh atje”, por të kuptosh që sot, me një laptop dhe një lidhje interneti, distanca midis Londrës dhe Tiranës është thuajse zero. Unë thjesht përfitova nga ky realitet më herët”, tha Shehu.

Ai theksoi se teknologjia ka qenë baza e zhvillimit të tij profesional, duke i krijuar mundësinë të mësojë në mënyrë të pavarur programim, dizajn dhe marketing digjital.

Shehu nënvizoi se edhe sot çdo vendim strategjik në biznes kalon përmes përdorimit të teknologjisë për automatizim, matje të rezultateve dhe zgjerim të aktivitetit.

“Teknologjia ka qenë gjithçka për mua. Pa internet, fëmija nga Memaliaj që isha unë do ta kishte shumë të vështirë të mësonte ato që mësoi. Mësova vetë programim, dizajn, marketing digjital dhe më vonë neuromarketing, pikërisht sepse teknologjia më dha akses në njohuri që normalisht do të kërkonin dekada përvojë. Sot, kur këshilloj startup-e ose drejtoj “Postjer Group”, çdo vendim strategjik kalon nëpërmjet një filtri teknologjik: si mund të automatizojmë, si mund të masim, si mund të shkallëzojmë”, tha Shehu.

Duke folur për shqiptarët në arenën ndërkombëtare, Shehu u shpreh se brezi i ri po krijon një imazh të ri në botën e biznesit dhe inovacionit.

Sipas tij, gjithnjë e më shumë sipërmarrës, drejtues kompanish dhe profesionistë shqiptarë po arrijnë rezultate të rëndësishme në tregjet globale, duke dëshmuar potencialin konkurrues të vendit.

Ai theksoi se ata po krijojnë sot një imazh të ri në botën e biznesit dhe inovacionit ndërkombëtar.

“E shoh këtë çdo ditë në punën që bëj me Business Network Albania. Brezi i ri shqiptar po del në skenë me një vetëbesim që nuk e kemi pasur më parë. Kemi themelues që po ndërtojnë kompani të vlerësuara me miliona, ekzekutivë në pozicione drejtuese të kompanive globale dhe profesionistë që po formësojnë industri të tëra. Ndryshimi më i madh është që sot shqiptarët nuk po kërkojnë më të ulen në tryezë, ata po e sjellin tryezën me vete. Imazhi po ndryshon sepse rezultatet po flasin më fort se stereotipet”, theksoi Shehu.

Një rol të veçantë, sipas tij, luan diaspora shqiptare, të cilën e cilësoi si një nga asetet më të nënvlerësuara të Shqipërisë.

Përtej remitancave financiare, ai vlerësoi se diaspora sjell dije, eksperiencë, rrjete profesionale dhe akses në tregje ndërkombëtare, elementë që mund të ndihmojnë ndjeshëm sipërmarrësit e rinj shqiptarë.

Shehu theksoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të urave bashkëpunuese mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke e konsideruar këtë një faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e inovacionit.

“Diaspora është aseti më i nënvlerësuar i Shqipërisë. Flasim shpesh për remitancat, por kapitali i vërtetë që mban diaspora është dija, rrjetet dhe aksesi në tregjet ndërkombëtare. Një themelues nga Tirana ka nevojë jo vetëm për financim, por për dikë në Berlin, Londër ose Nju-Jork që mund të hapë një derë. Pikërisht këtë po ndërtojmë me BNA: një urë strukturore midis sipërmarrësve në Shqipëri dhe investitorë apo profesionistëve shqiptarë jashtë. Konferenca e Berlinit më 27 qershor është një hap konkret në këtë drejtim. Potenciali është i jashtëzakonshëm, por kërkon pikërisht infrastrukturën që ne kemi ndërtuar”, tha Shehu.

Në mesazhin e tij për të rinjtë, ai i inkurajoi të mos presin momentin perfekt për të nisur, por të investojnë në njohuri, të ndërtojnë projekte konkrete dhe të përdorin teknologjinë për të zgjidhur probleme reale. Sipas Shehut, mundësitë sot janë globale dhe suksesi varet më shumë nga aftësitë dhe vullneti për të krijuar vlerë sesa nga vendndodhja gjeografike.

“Filloni para se të ndiheni gati. Asnjë i ri që njoh sot dhe që ka ndërtuar diçka serioze në teknologji nuk priti që dikush t’i jepte leje. Mësoni në publik, ndërtoni gjëra që mund t’i tregoni, dhe mos i kushtoni shumë rëndësi se ku jeni gjeografikisht. Sot kompanitë më të mëdha të botës punësojnë në distancë. Por, mos harroni një gjë: teknologjia është mjeti, jo qëllimi. Të rinjtë që do të dalin më të suksesshëm janë ata që e përdorin teknologjinë për të zgjidhur probleme reale të njerëzve ose komunitetit”, u shpreh Shehu.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›