Humbën rrugën në Karaburun, Policia Kufitare ndihmon dy turistët kanadezë

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Policia Kufitare Dhërmi u ka ardhur në ndihmë dy turistëve kanadezë që kishin humbur rrugën në Karaburun.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, salla operative e Policisë Vlorë është njoftuar se dy shtetas kanadezë, të ndarë nga grupi i tyre gjatë një ecjeje në zonën e Karaburunit, kishin humbur orientimin dhe nuk dinin të ktheheshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u organizuan shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, të cilët u nisën me mjet lundrues drejt Gjirit të Gramës.
Në njoftim thuhet se “pas mbërritjes, efektivët e Policisë vijuan kërkimet në këmbë, në terrenin e vështirë malor dhe në kushte të errësirës, duke bërë të mundur, rreth orës 24:00, lokalizimin dhe gjetjen e dy turistëve, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore”.
“Turistët u shoqëruan në Gjirin e Gramës dhe iu bashkuan grupit të tyre, ndërsa falënderuan shërbimet e Policisë së Shtetit për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar”, nënvizohet në njoftim.
Policia Kufitare e Vlorës mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe vizitorëve, në çdo cep të territorit.
/a.f/