Hyn në fuqi tarifa 10 për qind, taksa e parë e Presidentit Trump prek edhe Shqipërinë

Doganat e Shteteve të Bashkuara kanë nisur të mbledhin tarifën prej 10 për qind të vendosur nga presidenti Donald Trump, ndaj të gjitha esporteve të shumë shteteve, përfshirë dhe nga vendi ynë.
Ndërkaq, tarifat më të larta për mallrat nga 57 partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së do të nisin që të zbatohen javën e ardhshme.
Vendimi për tarifën fillestare bazë prej 10 për qind nisi së zbatuari në portet detare, aeroportet dhe magazinat doganore të SHBA-së në orën 12:01 të mëngjesit.
Shqipëria është në mesin e vendeve që u është vendosur taksë bazë prej 10 për qind për çdo produkt nga presidenti Trump më 2 prill.
Vende si Australia, Britania dhe Arabia Saudite përballen gjithashtu me tarifa të menjëhershme prej 10%.
Ndërkohë, të mërkurën do të hyjnë në fuqi taksat më të larta reciproke të Trump që variojnë nga 11 deri në 50 për qind.
Importet nga Bashkimi Evropian do të goditen me një tarifë prej 20 për qind, ndërkaq mallrat kineze me një nivel prej 34 për qind, duke e çuar në total në 54 për qind tarifën e re për Kinën.
Kanadaja dhe Meksika janë përjashtuar nga tarifat më të fundit, pasi ato janë ende subjekt i një tarife prej 25 për qind, që u vendos lidhur me krizën e fentanilit në SHBA.
Trump ka përjashtuar nga tarifat e reja mallrat që janë subjekt i tarifave të veçanta prej 25 për qind për arsye të sigurisë kombëtare.
Këtu hyjnë çeliku dhe alumini, makinat, kamionët dhe pjesët për automjete.
Administrata amerikane publikoi gjithashtu një listë me mbi 1.000 kategori produktesh që janë përjashtuar nga tarifat e reja.
Këtu përfshihen nafta e papërpunuar, produktet e naftës dhe importe të tjera të energjisë, barnat farmaceutike, uraniumi, titani, lëndë drusore, gjysmëpërçuesit dhe bakri./vizionplus.tv