E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyn në fuqi zona unike e pagesave, ulen kostot për qytetarët dhe bizneset

Këtë të martë nisën transaksionet e para në euro përmes Zonës Unike të Pagesave, e njohur ndryshe si SEPA.

Kjo do të thotë se të 11 bankat vendase janë gati të ofrojnë shërbime SEPA për qytetarët dhe bizneset, të cilët mund të kryejnë transferta ndërkufitare në euro, duke kursyer kohë dhe para.

“SEPA përkthen vizionin tonë të integrimit financiar në përfitime të prekshme për qytetarët e bizneset: kosto më të ulëta, shpejtësi më të lartë dhe siguri të shtuar. Më konkretisht: Tarifa shumë më të ulëta: transferimi i parave nga Shqipëria drejt vendeve anëtare të SEPA-s kushton deri në 5 herë më pak se më parë; Transaksione të shpejta: pagesat elektronike janë më të shpejta, më të sigurta dhe më komode; Transparencë dhe barazi: një pagesë nga Tirana në Romë nuk kushton më shumë se një pagesë brenda Tiranës. Ndërkohë që ulje drastike do të ketë dhe për pagesat në mbërritje”, tha Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

 “Kjo është një arritje e prekshme për qytetarët shqiptarë që tregon se çfarë do të thotë të bëhesh shtet anëtar i BE. Kjo arritje vjen si rrjedhojë e një procesi të gjatë dhe sfidues. Ky është një rezultat shumë i prekshëm i përpjekjeve tona të përbashkëta në kuadër të planit të rritjes të BE për Ballkanin Perëndimor që synon të përshpejtojë integrimin e Shq ipërisë dhe të rajonit në BE dhe të sjellë për qytetarët përfitime konkrete edhe para anëtarësimit. Sot është një ditë shumë e rëndësishme sepse shqiptarët ndihen të barabartë me çdo qytetar tjetër të BE”, tha Silvio Gonzato, ambasador i BE në Shqipëri.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, përmes një reagimi në rrjetet sociale, përshëndeti këtë hap të Shqipërisë, duke theksuar se tashmë transfertat në euro me vendet e BE do të kryhen me të njëjtat rregulla si në BE.

Përmes SEPA-s, për vlera transaksionesh deri në 100 mijë euro që kryhen në rrugë elektronike, tavani i komisionit nuk mund të jetë më shumë sesa 0.01% e shumës, pra 1-10 euro. Dhe për vlera transaksionesh ndërbankare mbi 100 mijë euro, këto komisione nuk mund të shkojnë më shumë sesa 25 euro.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›