E Diel, 1 Nëntor 2026

Hysolakoj: Lumi Vjosa arriti nivelin kritik, fshatrat në Fier janë më të rrezikuarat

Nexhip Hysolakoj, nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura (AZM) nw Vlorë, deklaroi në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” se lumi Vjosa ka arritur nivelin kritik prej rreth 9 mijë metrash kub ujë, një tregues që nuk konsiderohet i favorshëm për zonat përreth.

Sipas Hysolakajt, problematikat janë shfaqur kryesisht në njësinë administrative Novoselë dhe në pjesën e qarkut Fier, duke përfshirë fshatrat përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë si Mifoli, Novosela, Bishani dhe zona të tjera përreth.

“Mbrëmjen e djeshme Lumi Vjosa arriti në pikën kritike, në nivelin 9 mijë metra, që nuk është shenjë e mirë dhe për situatën e krijuar për zonën përreth.

Problemet janë më së shumti për njësinë administrative Novoselë apo pjesën e Fierit, për fshatrat që janë rreth lumit Vjosë, për Mifolin, Novoselën, Bishanin, etj,.

Deri tani ka funksionuar mirë argjinatura dhe kjo është një shenjë e mirë për dëme të mëdha, veç dëmeve të vogla që ndodhin në Lumin Vjosë”, deklaroi ai.

Ai theksoi se deri më tani argjinaturat kanë funksionuar mirë, çka ka shmangur dëme të mëdha, përveç disa dëmtimeve të vogla që janë tipike gjatë rritjes së prurjeve në lumin Vjosë. Ditën e djeshme janë evakuuar tre familje si masë parandaluese, ndërsa situata pritet të mbetet stabile.

“Të gjitha institucionet janë në terren. Bashkia, prefektura dhe Drejtoria e Policisë me stafin e saj kanë qenë të pranishme për të menaxhuar çdo situatë të mundshme që mund të sillte dalja e lumit nga argjinatura”, u shpreh Hysolakoj.

Ai shtoi se fshatrat përreth lumit mbeten zonat me rrezikun më të lartë, ndaj janë marrë masa konkrete për mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Një rol të rëndësishëm në situatën aktuale, sipas tij, luan edhe problemi i hidro-dinamikës së rrjedhës së poshtme të Vjosës, i ndikuar nga prurjet e larta dhe erozioni i materialeve inerte dhe të ngurta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›