Ministria e Shëndetësisë: Mjekët dhe infermierët në shërbim gjatë natës, kujdes i pandërprerë për banorët e izoluar nga moti i keq
Moti i keq që ka përfshirë disa zona të vendit ka vënë në gatishmëri të gjitha shërbimet shëndetësore në Shqipëri.
Krahas ndërhyrjeve në infrastrukturë dhe përpjekjeve për largimin e ujit nga zonat e përmbytura, vëmendja e qeverisë është përqendruar tek kujdesi shëndetësor për banorët e izoluar apo të prekur nga përmbytjet.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Mjekë njofton se mjekët dhe infermierë kanë qenë gjatë gjithë natës në shërbim të qytetarëve, duke ofruar kujdes dhe mbështetje në zonat e prekura nga kushtet e vështira të motit.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministria ka bërë publike pamjet nga ndihma e mjekëve në terren dhe ka shprehur mirënjohje për të gjitha ekipet shëndetësore dhe strukturat e emergjencës në të gjithë vendin, duke vlerësuar përkushtimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e tyre 24/7.
“Mirëmëngjes me mjekët dhe infermierët që gjatë orëve të natës kanë qenë në shërbim të qytetarëve, në zonat e prekura nga kushtet e vështira të motit. Mirënjohje për të gjithë ekipet shëndetësore dhe strukturat e emergjencës në të gjithë vendin, për përkushtimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e tyre 24/7, duke garantuar kujdes e mbështetje pa ndërprerje,” – bëhet e ditur nga ministria.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se do të vijojnë të jenë në terren për të siguruar ndihmën e nevojshme mjekësore dhe për të mbështetur banorët e zonave të prekura deri në normalizimin e plotë të situatës.
Gjithashtu bëhet e ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se 36 njësi vendore dhe tre drejtori rajonale po punojnë në gatishmëri të plotë për të garantuar ndihmën mjekësore të nevojshme.
/rtsh.al/