E Diel, 1 Nëntor 2026

I akuzuar për mashtrim kompjuterik, GJKKO e dënon me 3 vite e 8 muaj burg, hetimi nisi nga FBI

GJKKO ka dhënë sot vendimin për një shtetas nga Kosova të akuzuar nga autoritetet shqiptare për mashtrim kompjuterik. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj shtetasit Shpend Sokoli, i akuzuar fillimisht për disa vepra penale, përfshirë mashtrimin kompjuterik në bashkëpunim dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Çështja u shqyrtua nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me procedurë të gjykimit të shkurtuar. Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Atalanta Zeqiraj shpalli vendimin më 4 maj 2026.

Sipas vendimit nr. 37, gjykata deklaroi fajtor Shpend Sokolin për veprën penale “keqpërdorimi i pajisjeve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “grupi i strukturuar kriminal”.

Për këto akuza, ai u dënua fillimisht me 5 vite e 6 muaj burgim për “keqpërdorim pajisjesh” dhe 2 vite burgim për “grup të strukturuar kriminal”.

Në zbatim të ligjit për bashkimin e dënimeve, gjykata vendosi një dënim të vetëm prej 5 vite e 6 muaj burgim. Më pas, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me 1/3, duke u konvertuar përfundimisht në 3 vite e 8 muaj burgim.

Gjykata vendosi gjithashtu që dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së lartë dhe të konfiskohen fondet e tij në platformën Binance.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet ndërkombëtare, përfshirë Federal Bureau of Investigation, për të hetuar aktivitetet e paligjshme online të shtetasit Shpend Sokoli.

Sipas hetimeve, Sokoli, me origjinë nga Kosova, rezulton të ketë qenë një nga zhvilluesit dhe bashkëpronar i kompanisë shqiptare Scythe Labs, e cila lidhej me tregun kriminal online Rydox.

Ky treg i nëndheshëm ofronte për shitje kredenciale email-esh, llogari të platformave e-commerce dhe të dhëna personale përdoruesish, duke përfshirë mbi 18,000 llogari të komprometuara.

Hetimet kanë zbuluar se Sokoli, në bashkëpunim me Ardit dhe Jetmir Kutleshi, zhvillonte këto aktivitete kriminale dhe përfitonte financiarisht përmes përdorimit të platformës Rydox. Sipas SPAK, aktiviteti i tyre është dokumentuar ndër vite, ndërsa marrëdhënia mes bashkëpunëtorëve daton që nga viti 2016.

Hetimi ndërkombëtar ka nisur në nëntor 2022 nga FBI dhe është mbështetur në dokumentacion dhe prova materiale të siguruara përmes bashkëpunimit mes autoriteteve ligjzbatuese.

NJOFTIMI ZYRTAR

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shpend Sokoli, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrimi kompjuterik” në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334, paragrafi i parë, të Kodit Penal.”

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Atalanta Zeqiraj, me vendimin nr. 37, datë 04.05.2026 vendosi: 

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Shpend Sokoli, për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pajisjeve”, kryer në bashkëpunim të posaçëm, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 293/ç dhe 28/4, në lidhje me nenin 334, paragrafi parë të K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Shpend Sokoli, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë të K.Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

3. Në bazë të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të dhëna me një dënim të vetëm, duke e dënuar të pandehurin Shpend Sokoli, me 5 (pesë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

4. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Shpend Sokoli i zbritet 1/3 e masës së dënimit me burgim, duke u dënuar përfundimisht me 3 (tre) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

5. Vuajtja e dënimit të fillojë nga dita e ndalimit të të pandehurit dhe të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.

6. Në bazë të nenit 190/1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, të nenit 36/1, shkronjat “a” dhe “ç”, të K.Penal, konfiskimin e fondeve të shtetasit Shpend Sokoli në Binance, në llogarinë me të dhëna UID: ****, Email: ****, User Name: ****.

7. Provat materiale të sekuestruara t’u kthehen personave që u përkasin.

8. Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore, sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit.

9. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar. 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›