Ministri Nufi pret delegacionin e Gardës Kombëtare të New Jersey: Rikonfirmim i mbështetjes së qëndrueshme të SHBA

Ministri Ermal Nufi priti sot në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes delegacionin e Gardës Kombëtare të New Jersey, të kryesuar nga Gjeneral Brigade Yvonne L. Mays.
Takimi u zhvillua në kuadër të 25-vjetorit të partneritetit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me Gardën Kombëtare të New Jersey – një bashkëpunim dypalësh që ka filluar në vitin 2001 si pjesë e Programit të Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program), i inicuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Nufi shkruan se gjatë takimit, shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të thelluar më tej partneritetin strategjik me SHBA
“Në këtë vit jubilar të 25-vjetorit të partneritetit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me Gardën Kombëtare të New Jersey, veçojmë me krenari bashkëpunimin e shkëlqyer në drejtim të rritjes së profesionalizmit, modernizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të forcave tona.
Përgjatë takimit të sotëm me delegacionin e Gardës Kombëtare të New Jersey, të drejtuar nga Gjeneral Brigade Yvonne L. Mays, rikonfirmova mirënjohjen për mbështetjen e qëndrueshme të SHBA, si dhe gatishmërinë tonë për të thelluar më tej partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA”, thekson ministri.
/rtsh.al/