I dënuar në Itali për trafik droge dhe organizatë kriminale, kapet në Tiranë 45-vjeçari

Policia e Shtetit vijon operacionet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të këtyre operacioneve është kapur në Tiranë një 45-vjeçar i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.
Sipas burimeve zyrtare, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet operative, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin Kol Bushpepa alias Sokol Bushpepa, 45 vjeç, banues në Rrëshen.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit, Itali, e ka dënuar me 5 vite, 3 muaj e 10 ditë, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Nga dënimi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vite e 18 ditë burgim.
Vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane.