I iku policisë duke çarë rrethimin, prangoset pas 30 minutash “Vis Korçari”

Një operacion i përbashkët i Forcave Operacionale të Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë ka çuar në arrestimin e 34-vjeçarit Elvis Koçi alias Elvis Çaushllari, i njohur ndryshe edhe si “Vis Korçari”.
Sipas burimeve, efektivët e policisë kishin kohë që e monitoronin dhe e lokalizuan gjatë ditës së djeshme në Ksamil. Rreth orës 22:30 u organizua operacioni për kapjen e tij, ku morën pjesë edhe agjentë civilë të sektorit të Krimeve në Sarandë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, sapo ka konstatuar praninë e policisë, 34-vjeçari ka tentuar t’i shmanget arrestimit duke kryer manovra të rrezikshme me automjetin që drejtonte.
Gjatë përpjekjes për t’u larguar, ai dyshohet se ka përplasur dy automjete civile të policisë, duke arritur fillimisht të çajë rrethimin e ngritur nga efektivët.
Menjëherë pas ngjarjes është organizuar ndjekja e tij, ndërsa në operacion janë angazhuar edhe forcat e FNSH-së. Pas rreth 30 minutash kërkime, Elvis Çaushllari është lokalizuar pranë një biznesi privat në aksin rrugor Ksamil–Butrint, ku është vënë në pranga.
Policia ka sekuestruar gjithashtu automjetin me të cilin ai lëvizte, i cili rezulton i regjistruar në emër të vëllait të tij.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi arsyet e ndalimit të 34-vjeçarit, por burime jozyrtare bëjnë me dije se ai mund të kërkohej për ekzekutimin e një vendimi të dhënë nga GJKKO.
Elvis Çaushllari është një emër i njohur për drejtësinë dhe është përfolur për përfshirje në përplasjet e grupeve kriminale në Elbasan. Ai u arrestua në vitin 2022 nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, ndërsa u lirua rreth një vit më vonë.
Autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar për detajet e plota të operacionit dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij.