E Diel, 1 Nëntor 2026

I jepet lamtumira e fundit legjendës së gazetarisë sportive, Ismet Bellova

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Në hollin e Radio Televizionit Shqiptar u zhvilluan sot homazhet për nder të legjendës së gazetarisë sportive shqiptare, Ismet Bellova, i cili u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Ceremonia e nderimit u mbajt nga ora 10:00 deri në mesditë, në ambientet ku Bellova ushtroi për dekada me radhë profesionin e tij.

Familjarë, miq, kolegë, personalitete të sportit dhe medias, si dhe përfaqësues të institucioneve, bënë homazhe pranë arkëmortit të vendosur në RTSH, duke nderuar figurën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të “zërit ikonik” të futbollit shqiptar.

Në homazhe morën pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zv.presidenti Lutfi Nuri, dhe Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku. Duka u shpreh për mediet pas homazheve se zëri karakteristik i profesor Ismetit ka sjellë futbollin shqiptar në çdo familje shqiptare, në çdo person që e ka pasion futbollin, për dekada e dekada.

“E ka kryer në mënyrën më perfekte shërbimin e tij, jo vetëm për radion, për komentin, por edhe për futbollin”, tha Duka.

Ismet Bellova ishte një nga emrat më të spikatur të gazetarisë dhe komentit sportiv në Shqipëri, i cili përmes mikrofonit të RTSH-së shoqëroi për dekada sportdashësit shqiptarë në ngjarjet më të rëndësishme sportive.

Me stilin e tij karakteristik dhe profesionalizmin e rrallë, ai u kthye në një figurë të dashur dhe të respektuar për publikun.

I lindur në Tiranë më 1 qershor 1934 dhe i arsimuar në ILKF “Vojo Kushi”, Bellova i kushtoi gjithë jetën gazetarisë sportive.

Për kontributin e tij ndër vite, ai është vlerësuar me tituj dhe çmime të shumta, ndër të cilat “Mësues i Popullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”, si edhe çmime prestigjioze si “Çmimi i Karrierës në TVSH”, “Çmimi Anton Mazreku” dhe “Mikrofoni i Artë”.

Pas homazheve, Ismet Bellova u përcoll në banesën e fundit, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në historinë e medias dhe sportit shqiptar.

Homazhe në nder të gazetarit Ismet Bellova - Foto: Andrin HOxha 1 nga 8

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›