E Diel, 1 Nëntor 2026

I ndaluar nën 18 vjeç/ Investigimi: Të miturit në Tiranë porosisin vape përmes “Wolt Albania”

“Vape”, një pajisje elektronike me përmbajtje nikotinë, po përdoret në masë në Tiranë edhe nga të miturit.

Një vëzhgim i Report Tv zbulon se fenomeni ka prekur edhe fëmijë të moshës 11 vjeç, të cilët arrijnë ta marrin Vape duke e porositur në aplikacionet online “Delivery” për të shmangur refuzimet në dyqane fizike, duke qenë se janë në 18 vjeç.

Një 11-vjeçar hyn në një tabakino në zonën e “Ali Demit” në Tiranë dhe i kërkon shitëses të blejë një “Vape”. I mituri, për të cilin Report Tv mori lejen e prindërve për tu bërë pjesë e këtij investigimi, largohet pa mundur ta marrë atë, me këshillën e shitëses se është i vogël dhe nuk mund të konsumojë këtë produkt.

Edhe në një tjetër tabakino, në “Rrugën Bardhyl”, 11-vjeçari del pa sukses, pavarësisht se tentoi ta bindë shitësen duke i thënë se e kërkon “Vape” për motrën e tij në moshë madhore.

Pajisjen me bateri e cila ngroh lëngun me përmbajtje të nikotinës dhe krijon avull që thithet në mushkëri, i mituri arrin ta marrë në një tjetër pikë shitje. Nga kjo kioskë në qendër të Tiranës, fëmija largohet me “Vape” në dorë, të cilën e bleu për 1 mijë lekë të rinj, pa faturë tatimore.

Mes vështirësive për ta siguruar këtë pajisje elektronike shpesh edhe me shije të ndryshme, të miturit kanë zbuluar të tjera metoda për ta pasur atë.

Më pas, fëmija 11-vjeçar porosit një Vape në një nga tabakinot që gjendet të reklamuara në aplikacionin Delivery, Wolt. Pajisja kushton gjithashtu 1 mijë lekë, por bashkë me transportin arrin në 1230 lekë.

E vetmja pyetje që shfaqet në aplikacionin e Wolt, është nëse porositësi është mbi 18 vjeç. Por mjaftoi një përgjigje po, dhe motoristi mbërriti pa vonesë në adresë.

11-vjecari i afrohet dhe motoristi i jep në dorë “Vape”, duke i marrë edhe pagesën cash, pa i dhënë as faturë tatimore.

Edhe në këtë rast, vetëm një këshillë, pirja e vape në këtë moshë, nuk është e shëndetshme. Motoristi nuk i kërkon asnjë mjet identifikimi të voglit.

Ky nuk është një rast sporadik kur motoristët e “Wolt”, ose që përdorin logon e saj, përfshihen edhe në aktivitete të paligjshme.

Në dhjetor 2025, Policia e Tiranësgoditi një grup kriminal me 33 anëtarë, i cili ushtronte veprimtari të shpërndarjes së lëndëve narkotike në disa zona të kryeqytetit, duke përdorur metoda të kamufluara si taksi dhe motoçikleta të shpërndarjes së ushqimit.

Pas katër javësh hetime intensive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Labirinti 2”.

Sipas policisë, grupi kriminal shpërndante drogë kryesisht kokainë dhe cannabis, duke shfrytëzuar lëvizjen e lirë në qytet përmes taksive dhe motorëve të picave.

Nga hetimet rezultoi se, një prej të arrestuarve, i identifikuar si Erdison Gjella, përdorte një motoçikletë shpërndarjeje picash, e loguar me një brand ndërkombëtar, “WOLT Albania”, për të kamufluar aktivitetin e paligjshëm.

LEXO EDHE: “Wolt Albania” dhe “One Albania”, si organizata kriminale/ Shpërndarje droge në Tiranë me motorristë, drejtorë dhe dyqane…

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›