E Diel, 1 Nëntor 2026

“A nuk u zbraz kjo kryeministri në vitin 1998?”/ Berisha: Ne nuk marrim pushtet me dhunë, jemi demokratë

“Ne nuk marrim pushtet me dhunë. Ne besojmë tek vlerat demokratike, ne jemi demokratë, ne besojmë tek vullneti i popullit dhe këtu buron përcaktimi ynë i kryengritjes paqësore”.

Kështu u shpreh gjatë Foltores së sotme para Kryeministrisë dhe një ditë pas protestës së 22 Marsit kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Sipas tij, ky regjim meriton çdo formë kryengritjeje por PD dhe Opozita, shtoi ai, do të vijojë me protesta paqësore.

“Ata nuk meritojnë asnjë mëshirë, se ata meritojnë ndëshkimet më të mëdha, por buron nga bindja se kryengritja paqësore na çon ne në fitore”, tha ndër të tjera lideri i Opozitës.

Pjesë nga fjala e Berishës:

“Miq, thashë edhe njëherë, ne jemi në një udhëkryq shumë të rrezikshëm, por jemi me shpresë. Dhe unë u them ju se shpresa më e madhe është sot se ne jemi opozitë e vendosur të qëndrojmë. Sepse për ne, rruga e vetme është qëndresa kundër regjimit dhe protesta dhe çdo ditë e më shumë shqiptarët po e kuptojnë këtë.

Ka qenë shtatori i vitit 2021 dhe isha nisur për një foltore në Lushnje. Sa dola tek kthesa, shoh policinë prapa e mbrapa, bllokon rrugët, bllokon njerëzit dhe bëri gjithçka që unë të mos arrija dot në kohë. Pra, policia kishte marrë në patronazh nga unë ish-kryetarin Lulzim Basha. E kuptoni se çfarë opozite duan këta? Këta janë horra që nuk kanë as moral, as nder. Nuk kanë princip. Ndaj këtyre vetëm qëndresa dhëmb për dhëmb, dhëmb për dhëmb, dhëmb për dhëmb.

Miqtë e mi, ne jemi përcaktuar dhe mbetemi të përcaktuar për kryengritje paqësore. Regjimi meriton çdo formë kryengritje, ua them unë ju se një regjim që del nga farsa elektorale, nuk ka legjitimitet. Se një regjim, i cili vjedh dhe krijon ligje për të mbrojtur vjedhjet e tij, nuk ka legjitimitet, ikën me çdo kusht dhe çdo mjet. Por përcaktimi ynë për kryengritje paqësore buron jo nga mëshira ndaj tyre, se ata nuk meritojnë asnjë mëshirë, se ata meritojnë ndëshkimet më të mëdha, por buron nga bindja se kryengritja paqësore na çon ne në fitore. Na sjell ne në fitore. Jemi këtu, duhet t’u flasim haptas shqiptarëve.

A nuk u zbraz kjo kryeministri në vitin 1998? Kryeministri ia mbathi në Shkup. Por ne nuk vijmë kurrë. Aty dy ditë më vonë erdhi një kryeministër tjetër, më i keq se i pari. Pse? Sepse ne nuk marrim pushtet me dhunë. Ne besojmë tek vlerat demokratike, ne jemi demokratë, ne besojmë tek vullneti i popullit dhe këtu buron përcaktimi ynë i kryengritjes paqësore. Por kjo kryengritje, sigurisht nuk është një ndeshje futbolli, por në mënyrë absolute nuk ka forcë në botë që e ndal pa shkuar në fitore“.

LEXO EDHE: “Parlamenti është zero”, Berisha: Rama refuzon çdo pyetje dhe interpelancë, nuk ngrihet asnjë komision hetimor

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›