E Hënë, 2 Nëntor 2026

I riu nga Dibra dëshiron të hapë një bujtinë, me mbështetjen e “Paketës së maleve”

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Aleks Shtrezi, nga fshati Kovashic i Shupenzës në Dibër, i cili prej 9 vitesh menaxhon një fermë trofte në vendlindjen e tij, ishte i ftuar sot nga kryeministri Edi Rama në episodin e 9-të të podkastit Flasim – “Minierat e ujit”.

Shtrezi ndau me kryeministrin Rama letrën që i ka drejtuar ku ka shprehur edhe kërkesën për mbështetje për hapjen e një bujtine pranë fermës së troftës.

“Prej disa vitesh jam përkushtuar në mënyrë të vazhdueshme për ta kthyer fermën në një model të qëndrueshëm bujqësor e turistik për zonën. Po punoj në dy drejtime: rritjen e cilësisë dhe kapacitetit të rasatit të troftës dhe ngritjen e një bujtine pranë fermës, e cila do të krijojë një hapësirë mikpritëse për vizitorët dhe do të gjenerojë zhvillim të mëtejshëm ekonomik në zonë”, thuhet në letrën e Shtrezit, drejtuar kryeministrit Rama.

Shtrezi tha se “ferma nisi si ide e xhaxhait dhe babait tim. Unë u rrita tek ferma, mbarova gjimnazin dhe shokët më thanë të iknim jashtë se është më mirë. Ika jashtë, e pashë që nuk ia dilja dot dhe mora në dorë fermën”.

“Prej 8-9 vitesh e menaxhoj unë fermën me hapjen edhe të Rrugës së Arbit – që jemi shumë falënderues – patjetër janë rritur, edhe ka shumë që vijnë shohin troftën si rritet, se ne, duke filluar nga vezët, e prodhojmë vetë, nuk importojmë asgjë”, tha ai.

Kryeministri Rama e pyeti Shtrezin nëse do ta zhvillojë më tutje fermën.

“Prodhojmë 25-30 tonë troftë në vit, ka shumë kërkesa dhe pretendojmë që të arrijmë në 60-70 tonë. Por bujtina është dëshira ime më e madhe, e kam bërë projektin dhe tani presim nga qeveria të miratojë “Paketën e maleve” dhe të nisim punën”, tha Shtrezi.

Kryeministri Rama u shpreh se “e kemi hapur “Paketën e maleve” dhe duhet që bashkitë të sjellin hartat përkatëse, po do ta bëjmë”.

Shtrezi u shpreh se “në fshatin tonë ka burim, ku janë tri gurra. Fshati ynë ka një të mirë të madhe, është një mini Valbonë. Kemi tokë rreth 5 mijë m2 dhe aty duam të ndërtojmë kur të vijnë turistët vendas e të huaj që jo vetëm të drekojnë, por mund të marrin dhe ujë, patjetër të ndihmojmë edhe fshatin. Ka familje aty që i blejmë edhe produktet. Pastaj me hapjen e bujtinës shpresojmë të arrijmë në 15 deri në 20 punonjës”.

Kryeministri Rama tha se “aty ka zona shumë të bukura, ai vlen të vish në fundjavë”.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›