Policia Rrugore intensifikon kontrollet, gjoba, arrestime dhe mjete të bllokuara në 48 orë

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar ndjeshëm kontrollet gjatë dy ditëve të fundit, me fokus te parakalimet e rrezikshme, mosrespektimi i radhës në trafik dhe drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit.
Përmes patrullave të pozicionuara në akset kryesore, dronëve, kamerave inteligjente dhe pikave të shumta të kontrollit të shpejtësisë, janë marrë masa të shumta administrative dhe penale.
Gjatë 48 orëve të fundit, janë vendosur 136 gjoba për parakalime të rrezikshme dhe mosrespektim të radhës, ndërsa 17 mjete janë bllokuar me karrotrec për shkelje të ndryshme, nga mungesa e dokumentacionit, deri te modifikimet e paligjshme.
Po ashtu, janë konstatuar 37 drejtues nën ndikimin e alkoolit, të cilët janë ndëshkuar sipas procedurës ligjore, ndërsa për parkime të gabura janë vendosur 2758 masa administrative.
Për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, Policia ka arrestuar ose proceduar 11 shtetas.
Policia Rrugore i bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat dhe sinjalistikën rrugore, duke shmangur sjelljet që rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Sipas njoftimit, kontrollet do të vijojnë me ritme të larta në të gjitha akset e kryeqytetit, në çdo orë të ditës.
/gj.m/r.e/