I tradhëtoi qeni/ Dy vëllezër shqiptarë arrestohen në Itali, u kapën me kokainë dhe para cash

Karabinierët e Castiglione del Lago, me mbështetjen e njësisë operative të Kompanisë së Città della Pieve të Firences, kanë arrestuar në flagrancë dy vëllezër shqiptarë, 23 dhe 33 vjeç, të dy të njohur më herët për policinë italiane.
Ata akuzohen për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen.
Operacioni u zhvillua pas një urdhri të Prokurorisë së Perugias, i cili erdhi pas verifikimeve paraprake që ngjallën dyshime për praninë e drogës në banesën e tyre.
Gjatë kontrollit të ushtruar, me ndihmën e një qeni antidrogë, forcat e rendit gjetën 17 gramë kokainë të ndarë në 26 doza të gatshme për shitje, disa gramë hashash, material për paketimin e dozave, tre peshore si dhe 2.350 euro cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm, raportojnë mediat lokale.
Sipas karabinierëve, droga dyshohet se ishte destinuar për shpërndarje në nivel të vogël, në një zonë që ishte prej kohësh nën vëzhgim për raste të ngjashme.
Pas përfundimit të procedurave zyrtare, dy vëllezërit u lanë në arrest dhe u transferuan në burgun e Perugias, në pritje të gjykimit.