E Diel, 1 Nëntor 2026

I vodhën Bugatti-n mbi 2 milionë euro, CEO i kompanisë i vihet pas hajdutit me Porsche! Autori kapet në Austri

CEO i makinave luksoze Bugatti ka premtuar se nuk do t’i lërë më çelësat brenda makinës së tij, pasi automjeti i tij me vlerë 2.4 milionë eurp u vodh nga ambientet e kompanisë në Zagreb.

Drejtori ekzekutiv i Bugatti-t, Mate Rimac, një kroat i lindur në Bosnjë e Hercegovinë, tha se makina Bugatti Chiron u gjet nga policia në Austri, pasi ai ishte vënë në ndjekje të hajdutit.

Duke qëndruar përpara makinës në videon e publikuar në internet, Rimac tha:

“Jam shumë krenar që Kroacia është një vend kaq i sigurt, saqë ndihem shumë i qetë. Kjo do të thotë se unë gjithmonë i lë çelësat brenda makinave të mia, përfshirë Chiron dhe Nevera. E bëj këtë prej vitesh dhe, sigurisht, nuk kishte ndodhur kurrë asgjë, deri tani që ndodhi diçka. Prandaj, nuk do ta bëj më këtë dhe mos u përpiqni të provoni fatin tuaj.”

Ai shpjegoi se lënia e çelësave brenda makinës ishte gjithashtu një çështje praktike, pasi u mundësonte punonjësve ta lëviznin makinën pa pasur nevojë ta kontaktonin atë, duke qenë se ai ishte “gjithmonë i zënë”.

Në llogarinë e tij u publikuan gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë të momentit të vjedhjes, si dhe fotografi të Rimac me efektivët e policisë në Austri.

Pasi zbuloi vjedhjen, Rimac u vu në ndjekje të hajdutit me një makinë Porsche 911.

Ai kontaktoi policinë dhe përdori sistemin e telemetrisë, ose të gjurmimit të Chiron-it, për të përcaktuar vendndodhjen e makinës. Ai i informoi efektivët se automjeti po shkonte në drejtim të Sllovenisë fqinje.

Me ndihmën e përditësimeve të vendndodhjes që Rimac ndante në një grup bisede, efektivët arritën ta gjenin dhe arrestonin të dyshuarin në Austri.

Drejtori ekzekutiv tha se u takua me të dyshuarin, një kroat rreth të 35-ave, në një komisariat policie në Austri.

Burri shpjegoi se kishte shkuar në kompaninë Rimac për të kërkuar një vend pune dhe e kishte marrë makinën pasi kishte parë çelësat brenda saj.

Megjithëse drejtori ekzekutiv tha se nuk do të ngrinte padi ndaj tij, ai paralajmëroi se i dyshuari do të ndiqet penalisht për shkak të vlerës së lartë të makinës. Ai gjithashtu dëshironte ta merrte në makinë hajdutin dhe ta dërgonte në shtëpi pranë familjes së tij, por policia nuk e lejoi.

Makina, e cila ka pësuar dëmtime, do të riparohet.

Chiron, e përshkruar në faqen zyrtare të Bugatti-t si “makina sportive luksoze më e avancuar”, u prezantua në vitin 2016. Ajo ka një çmim bazë prej 2.4 milionë eurosh dhe mund të arrijë shpejtësinë 420 km/orë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›