E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zelensky kërkon takim të drejtpërdrejtë me Putinin, zbulon çështjet që synon të zgjidhë në negociata

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Turqi, duke shpresuar se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të mundësojë e lehtësojë procesin e negociatave.

Sipas raportimeve të medias RBC-Ukrainë, e cila i referohet CNN Turkey, udhëheqësi i Ukrainës vlerëson se zhvillimi i një dialogu të drejtpërdrejtë në nivelet më të larta shtetërore është i domosdoshëm, për shkak se kontaktet e deritanishme midis delegacioneve nuk kanë arritur t’i japin fund konfliktit.

Sipas Zelensky-t, bisedimet e drejtpërdrejta midis krerëve të shteteve mund të shërbejnë për të zgjidhur çështjet që kanë mbetur pezull në nivelin e grupeve teknike.

“Negociatat e drejtpërdrejtë midis presidentëve mund të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet që mbeten të pazgjidhura në nivelin e delegacioneve dhe grupeve teknike. Kjo është arsyeja pse dua të takohem me të si vendimmarrës,” vuri në dukje Zelensky.

Reklamë

Ndër çështjet kryesore që pritet të ngrihen në një takim të mundshëm përfshihen arritja e një armëpushimi përgjatë vijës së frontit, krijimi i një mekanizmi monitorues për zbatimin e marrëveshjeve, si dhe përcaktimi i garancive të sigurisë e planeve për rindërtimin e vendit.

Megjithatë, udhëheqësi ukrainas ka rikonfirmuar qëndrimin e tij të prerë sa u përket kufijve shtetërorë.

Zelensky përsëriti se nuk do të pranojë kërkesat e Moskës për të lëshuar rajonin e Donbasit apo për të njohur Krimenë si territor rus, duke sqaruar se lëshime të tilla do të përbënin shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Ukrainës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›