IDFT, tre koreografë të shquar brenda së njëjtës natë në TKOB

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Publiku i Teatrit të Operas e Baletit pati fatin të ndjekë në fundjavë tri botë të ndryshme të kërcimit, brenda së njëjtës shfaqje.
“Falling Angels”, i mjeshtrit Jirí Kylián, solli në skenë tensionin mes disiplinës dhe lirisë, një udhëtim përmes lëvizjeve minimaliste dhe ritmeve të fuqishme që pasqyruan thelbin e njeriut.
Jiří Kylián është një koreograf çek me famë botërore i cili ka krijuar rreth 100 vepra, duke përfshirë baletet e famshme si “Petite Mort” dhe “Sinfonietta”, që interpretohen nga kompani kërcimi në mbarë botën. Koreografia e tij është e njohur për përzierjen e baletit klasik me lëvizjen moderne dhe eksplorimin e emocioneve dhe marrëdhënieve njerëzore.
“Troy Game” erdhi nën koreografinë e Robert North, i cili ndezi energjinë e sallës me humor, atletikë dhe ritme braziliane, duke sfiduar me elegancë konceptet tradicionale të maskilizmit.
Ndërsa “Radiant 40°” i Edi Blloshmit e mbylli mbrëmjen me një poezi të vërtetë skenike, ku kujtesa, lidhjet e padukshme dhe transformimi u shkrinë në një gjuhë të re vallëzimi.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë mbrëmje si të paharrueshme, ku arti i kërcimit u bë pasaportë për të udhëtuar mes kulturave, ndjenjave dhe botëve që flasin përtej fjalëve.
Kjo shfaqje ishte pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Dancit të Tiranës (IDFT), aktivitetet e të cilit kanë gjallëruar jetën kulturore në kryeqytet dhe do vijojnë deri më 25 tetor. Më shumë se një festival, IDFT është një platformë për lidhje, kreativitet dhe shkëmbim.
International Dance Festival of Tirana. Fotot nga Florian Abazaj 1 nga 9/r.e/