IEVP Pojskë nis zbatimin e Programit të Terapisë së Traumës

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Në Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Pojskë nisi zbatimi i Programit të Terapisë së Traumës, nën supervizimin profesional të Suela Kalasë dhe Vangjela Thomait, psikologe nga Drejtoria e Çështjeve Sociale në Drejtorinë e Burgjeve.
Gjatë takimit prezantues, gratë që vuajnë dënimin u njohën me përmbajtjen dhe qëllimet e programit, i cili do të implementohet nga psikologia Aleksia Agolli, me mbështetjen e përgjegjëses Rajna Bllazhda.
Siç njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, “ato ndanë me sinqeritet përvojat dhe sfidat e së kaluarës, duke shprehur gatishmëri dhe entuziazëm të lartë për t’u përfshirë në këtë proces shërues”.
Programi vjen në kuadër të një nisme të Këshillit të Europës (KiE) dhe do të shtrihet gradualisht edhe në IEVP-të e tjera, duke u përshtatur me nevojat specifike të të dënuarve.
Kjo iniciativë synon të fuqizojë përpjekjet për rehabilitim dhe mbështetje të qëndrueshme psikologjike në të gjithë sistemin penitenciar.

/m.q//r.e/a.f/