E Diel, 1 Nëntor 2026

IHD arrijnë 1,21 miliardë euro në 9-mujorin e vitit 2025, kryesojnë pasuritë e paluajtshme

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Investimet e huaja direkte (IHD) në vend regjistruan shifrën 1,21 miliardë euro në 9-mujorin e vitit 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vlera e investimeve të huaja direkte është rritur me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar vijimësinë e interesit të investitorëve të huaj për ekonominë shqiptare.

Referuar statistikave, sektori i pasurive të paluajtshme vijon të kryesojë investimet e huaja për të katërtin vit radhazi. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, investimet e huaja në prona arritën në 150 milionë euro, 70% më shumë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Për të gjithë 9-mujorin 2025, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme u vlerësuan në 403 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pas pasurive të paluajtshme, sektori financiar renditet i dyti për nga vlera e investimeve të huaja. Për 9-mujorin 2025, investimet e huaja në aktivitetet financiare dhe të sigurimit arritën në 219 milionë euro, në rritje me 6,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë thekson se rritja e investimeve në sektorin financiar në vitet e fundit ka qenë kryesisht e lidhur me rritjen e kapitalit dhe investimet e reja nga sipërmarrjet  ekzistuese që operojnë në treg, tregues ky që ka dhënë ndikim në rritjen e ekonomisë së vendit.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›