E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet zbulojnë 9,3 milionë euro të padeklaruara nga një kompani produktesh shtazore


TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Vijon aksioni për garantimin e sigurisë ushqimore dhe formalizimin e sektorit të tregtimit të produkteve blegtorale.

Administrata Tatimore ka identifikuar një subjekt të tatimpaguesve të mëdhenj, i cili ushtronte aktivitetin e tregtimit me shumicë të produkteve shtazore në kundërshtim me legjislacionin tatimor në fuqi, duke kryer evazion fiskal.

Nga verifikimet e kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), është konstatuar një mospërputhje e ndjeshme mes inventarit fizik dhe atij të deklaruar, në sasinë prej 4041 tonë nënprodukte mishi.

Gjithashtu, nga kontrollet e realizuara nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj në DPT, u konkludua se subjekti kishte fshehur të ardhura në vlerën rreth 9,3 milionë euro.

Rasti i është referuar për hetim të mëtejshëm hetimit tatimor, i cili e ka përcjellë çështjen për ndjekje penale pranë Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “evazion fiskal”, me një dëm të vlerësuar ndaj të ardhurave tatimore në shumën 6,4 milionë euro.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›