IKMT heq 12 struktura pa leje përgjatë kantierit të Lungomare 3

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka hequr deri më tani 12 struktura pa leje, mure rrethuese dhe objekte shërbimi duke hapur rrugën për vijimin normal të punimeve në Lungomare 3.
Kështu, IKMT në mbështetje dhe bashkëpunim me strukturat e Bashkisë Vlorë, është në terren për të garantuar sigurinë e akseve rrugore dhe për zbatimin e projektit strategjik “Lungomare 3.
Me anë të largimit të objekteve pa leje, hap pas hapi po hiqet çdo pengesë për zhvillimin urban dhe hapësirave publike të qytetit bregdetar.
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në të gjithë territorin e vendit.
Ndërkaq, punimet vijojnë në Lungomare që 3 do t’i shërbejë, jo vetëm banorëve të zonës, por gjithë turistëve vendas e të huaj që frekuentojnë rivierën shqiptare.
Ky investim strategjik zgjeron hapësirën e turizmit cilësor të Vlorës dhe krijon kushtet optimale për vijimin me Lungomaren 4 në zonën e Orikumit, duke e bërë Vlorën qytetin bregdetar me shëtitoren më të gjatë në Mesdhe.